"Kosova mundet më mirë": LDK me iniciativë për ta nxjerrë Kosovën nga kriza e izolimit ndërkombëtar
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes kryetarit të saj Lumir Abdixhiku po e fillon sot një iniciativë për të ndërtuar një “rrugë të tretë” që e shpëton vendin tonë nga konfrontimi me partnerët më të mëdhenj ndërkombëtarë.
LDK-ja ka vendosur që përfundimisht ta zgjerojë aktivitetin e saj opozitar. Një gjë të tillë po e bën përmes një iniciative për ndërtimin e një rruge të re të cilën do ta ndiqte shteti ynë, për të shmangur konfrontimin me partnerët dhe për të shtrirë tamam sovranitetin.
Kreu i LDK-së e ka akuzuar kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin, se bashkë me “grupin ideologjik nga Tirana” dhe “analistët e paguar e mediat e pushtetit” janë në misionin ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit.
“Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur.”
Por, gjithë kësaj po synon që t’i japë fund kreu i LDK-së dhe për një gjë të tillë ka kërkuar edhe ndihmën e të gjithëve.
Çka synon ajo rrugë?
Lexojini vetë rreshtat e shkruar nga Abdixhiku:
“Kosova ka një rrugë të tretë. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne.”
Ai ka shtuar tutje se gjatë ditëve në vazhdim do të nis aktivitetet për ndërtimin e kësaj rruge, ku do të përfshihen akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mediave, opinionistëve e partive politike.
Abdixhiku ka shtuar se atyre do t’u prezantojë edhe planin e LDK-së për të kapërcyer izolimin e krizës së shkaktuar nga kryeministri Kurti.
“Kosova mundet më mirë. Kosova meriton më shumë” – ka përfunduar ai.

