Kortezhi në Burojë ose një rebelim i munguar
Prania e një lumi të madh njerëzish dhe mosprania e një grusht politikanësh janë shenja jo vështirë të lexueshme. Reputacioni i ish-presidentit dhe drejtuesit notor të luftës çlirimtare, Hashim Thaçi, është në atë stadin ku ex post facto po vlerësohet e çmohet gjithnjë e më shumë—njëmbëdhjetë vjet prejse nuk është më kryeministër e katër vjet prejse gjykohet në Hagë. Ky nam nuk po kapërdihet lehtë prej populistëve të parullave “Krejt dhe Drejt” e “Cep më cep”. Kjo hakmarrje dhe smirë politike po luhet në kurriz të njerëzillëkut që po shkelet me thembër këmbe. Para 57 vjete, Nelson Mandelas iu mohua kërkesa për vizitë në varrimin e së ëmës. “Për disa ditë me radhë kalova çaste në qelinë time që nuk do të doja kurrë t’i kujtoj”, kishte evokuar ai më vonë.
Col Mehmeti
Me privimin e ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait, Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) duket se i konsiderojnë letra të zhubrosura Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve.
Pas trusnisë kryesisht mediatike, kumtesa e orëve të fundit të Dhomave të Specializuara më tepër fqinjëron me një larje duarsh si Pont Pilati.
Aty bëhen bashkë edhe pohimi i shtirur empatik se janë “të vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit me familjen në situata si këto”, edhe mohimi se është pranuar ndonjë kërkesë në lidhje me Thaçin.
Mirëpo, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq ka përgënjeshtruar rëndë Gjykatën duke kujtuar që kërkesa për pjesëmarrje në varrim është bërë dje në ora 2:00 pasdite.
Duke shëtitur mes praktikash
Siç ndodh ngahera me vendime kundërthënëse gjykatash, nga sirtarët e praktikave gjithandej gjykatave në botë mund të nxirren shembuj e kundërshembuj.
Në shtator të vitit 1968, gjatë kohës sa po vuante dënimin në burgjet e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela mori prej rojes një telegram me mesazhin më zemërthyes të mundshëm: e ëma e tij kishte vdekur. Një botë që u duk sikur u zhdavarit në mosqenie!
Me sëmbim në zemër e dhimbje që si lak po e kaplonte si qenie, Mandela u krodh në kujtime e pishmane se sa pak kishte bërë për nënën e vuajtur.
Ai sakaqherë kërkoi leje për të marrë pjesë në funeral, por gjykata e bëri zemrën gur dhe nuk ia tumiri kërkesën.
Ai do ta kujtonte vite më vonë angështinë e tij mendore: “Për disa ditë me radhë kalova çaste në qelinë time që nuk do të doja kurrë t’i kujtoj”.
Po nga Afrika e Jugut vjen kundërshembulli tjetër.
Më 2021, ish-presidenti Jacob Zuma, i cili po e vuante dënimin e tij 15-mujor për përbuzje të gjykatës, u lejua që të merrte në funeralin e vëllait të tij, Michael Zuma.
Nga skaji tjetër i rrukullisë vjen shembulli tjetër me veprimtarin dhe të burgosurin politik tamil, Thangavel Sivakumar.
Paçka se ishte i dënuar me 13 vjet heqje lirie simbas legjislacionit shrilankez, atij më 2018 iu lejua një vizitë njëorëshe sa për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij jetëndërruar.
Aktivizmi tamil jep edhe një tjetër shembull kur jepet leje për vizita në raste gjëmash.
I burgosur qysh në moshën 19-vjeçare dhe i dënuar me 26 vjet heqje lirie, veprimtari Vigneswaranathan Parthiban u lejua shkurtazi të merrte pjesë në funeralin e të ëmës së tij.
Një histori më e afërt vjen nga Egjipti ku, më 2019, kur vdiq ish-presidenti Mohamed Morsi gjatë kohës së gjykimit, autoritetet u dhanë leje djemve të tij, përfshirë edhe një që mbahej në arrest, për të marrë pjesë në përgatitjet për varrim.
Vandaku me raste të singjashme mund të shtohet edhe më.
Fjala vjen, ish-kryeministrit pakistanez të dënuar me 10 vjet heqje lirie, Nawaz Sharif, më 2018 iu lejua lirimi i përkohshëm sa për t’i bërë nderimet e fundit në funeralin e gruas së tij, Kulsoom Nawaz.
Një vit më vonë, edhe ish-presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva iu lejua lirimi i përkohshëm për të marrë pjesë në varrimin e nipit të tij 7-vjeçar, Araújo da Silva.
Një akt proteste përballë krizës së populizmit
Humbja e busullës për qeverinë në ikje të Vetëvendosjes dhe kriza e legjitimitetit të saj moral ka krijuar një boshëllëk të madh.
Ashtu sikundër ngjau me mitingun e madh popullor më 2 prill 2023 — ku dhjetra mijëra njerëz protestuan kundër gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë — edhe rastet e fundit janë të ngarkuara me protestë e hakërrim edhe ndaj partisë aktuale në pushtet.
Turma jo e vogël që zuri vend në oborrin pranë Klinikës Intensive të QKUK-së, teksa Thaçi nën përcjelljen e rreptë të policëve nga Holanda e EULEX-i vizitoi babain në ditët e fundit të tij, është një shembull i një popullariteti të pashuar, ashtu sikurse edhe gjallërim i opozitarizmit ndaj Vetëvendosjes.
Si ‘rebelim’ duket edhe pjesëmarrja e shënueshme e njerëzve në varrimin e sotëm të babait të Thaçit që, jorastësisht, u bojkotua nga titullarët e institucioneve shtetërore.