Kush fitoi e kush humbi nga Marshi për Drejtësinë? - NACIONALE

Kush fitoi e kush humbi nga Marshi për Drejtësinë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marshi për Drejtësinë mblodhi dhjetëra mijëra njerëz në sheshet kryesore të Prishtinës. Por, menjëherë pas përfundimit nisi ‘lufta politike’ mes mbështetësve dhe kritikëve të kryeministrit Albin Kurti. Kush fitoi e kush humbi nga kjo protestë?

Menjëherë, aktivisti Rron Gjinovci u shpreh se protesta në fakt nuk ishte aq masive sa e tregonin fotografitë. Pra, nuk ishte ashti “siç dukej”. Ai u shpreh se maksimumi në protestë ishin 30 mijë vetë.

Në anën tjetër, kritikët e Kurtit po i japin interpretimet e tyre të këtij marshi. Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha këto fjalë: “Një rëndësi shtesë që ka protesta aq e madhe sot është që po ndodhë përkundër frymës anti-UÇK të instaluar në këtë qeveri.”

Por, kush janë fituesit dhe kush humbësit e kësaj proteste?

Fituese: UÇK-ja

Marshi në fjalë kishte parulla të qarta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodheshin në Hagë.

Ata kërkonin që të mos “rishkruhej historia” e të mos “politizohej drejtësia”.

Megjithatë, në këtë manifestim nuk foli ndonjë ish-ushtar apo ish-lider i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Humbëse: Gjykata Speciale

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë para disa muajsh se në bazë të sondazheve të tyre shumica e kosovarëve i besojnë punës së kësaj gjykate.

“...sondazhi ynë rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se, pavarësisht atyre që vokalisht kundërshtojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedimet do të jenë të drejta dhe se do të bëjmë çfarë të mundemi për të mbrojtur dëshmitarët,” - kishte thënë Trëndafilova në një intervistë.

Humbës: Albin Kurti

Në këtë protestë nuk pati parulla politike. Nuk u denoncua Qeveria Kurti. Por, megjithatë numri i madh i marshuesve e zbehë rëndësinë e madhësisë në tubimet e kësaj partie politike, siç ishte ajo e vitit 2019 kundër ripërcaktimit të kufijve.

Megjithatë, kryeministri kishte dhënë deklaratë për këtë marsh qysh të enjten duke pretenduar se nuk kishte dëgjuar asnjëherë për të. Përmes kësaj deklarate, ai u duk sikur po dëshironte relativizimin e marshit.

Përveç kësaj, VV kishte mbështetur Marshin por nga kjo parti nuk pati shumë figura politike.

Fituese: Iniciativa "Liria ka emër"

Edhe organizatorët e "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, mund të konsiderohen fitues të këtij marshi. Numri i lartë i pjesëmarrësve, mungesa e çfarëdo incidenti dhe parullat përbashkuese ishin meritë e tyre.

Kjo iniciativë mund të ketë të ardhme premtuese edhe për organizimet e radhës.

Lajme të ngjashme