Konventa e 11-të: PDK-ja e rizgjedh Memli Krasniqin kryetar dhe miraton Deklaratën Politike me 15 pika
Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur Konventën e Përgjithshme, të njëmbëdhjetën më radhë.
Në këtë konventë, partia e dytë më e madhe në vend e ka rizgjedhur Memli Krasniqin kryetar edhe për një mandat dhe e ka miratuar një Deklaratën Politike me 15 pika.
Pas marrjes së besimit nga delegatët, Krasniqi i ka falënderuar delegatët e pranishëm për besimin e dhënë.
Para tyre, ai është zotuar për të vazhduar punët e mira për Kosovën.
“Faleminderit shumë, për besimin. Faleminderit për mbështetjen. ma dhatë edhe sot sepse kur jam bashkuar për herën e parë në PDK në pranverën e vitit 2004 nuk e kam ëndërruar e as nuk e kam pasur ambicie të jem kryetar i partisë së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”, ka thënë Krasniqi.
Ai është zotuar se PDK-në do ta rikthej aty ku e ka vendin.
“Krejt çka di dhe krejt çka mundem do ta bëj për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës aty ku e ka vendin si partinë më të madhe dhe udhëheqëse të Republikës së Kosovës”, tha Krasniq
Në këtë konventë, PDK-ja e ka miratuar edhe një Deklaratën Politike prej 15 pikave.
Në këtë deklaratë, PDK-ja ka riafirmon përkushtimin për ta udhëhequr Kosovën drejt rimëkëmbjes.
Sipas njoftimit të PDK-së, përmes kësaj deklarate, PDK u ka bërë thirrje qytetarëve në Kosovë dhe në mërgatë që t’i bashkohen në misionin e saj për zhvillimin e Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës kërkon dhe angazhohet që urgjentisht të themelohen institucionet qendrore, të cilat do ta marrin me përgjegjësi politike e qytetare detyrën e qeverisjes së vendit. PDK ka filluar mobilizimin e të gjitha strukturave në çdo nivel të organizimit partiak për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, dhe zotohet për t’iu ofruar qytetarëve në të gjitha komunat modelin e qeverisjes efikase, që kryen punë dhe i mban premtimet.
Në deklaratë theksohet se PDK angazhohet për të garantuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë, mediave dhe agjencive të pavarura, duke konsideruar se çdo tentim për të zbehur këto shtylla të shoqërisë, cenon themelet e demokracisë dhe qon vendin kah autokracia”, është thënë në njoftimin e PDK-së.
Më tej, PDK-ja ka shprehur indinjatë të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të të akuzuarve të tjerë.
Gjithashtu, kjo parti ka bërë me dije se do të angazhohet ta rikthejë rreshtimin strategjik me NATO-n dhe me SHBA-në, si dhe kërkon rikthimin e qëllimit për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“PDK angazhohet që të gjithë punonjësit e sektorit publik të kenë paga që sigurojnë mirëqenie dhe dinjitet për ta dhe familjet e tyre, si dhe zotohet për kujdes të veçantë për kategoritë e dala nga lufta, si dhe për pensionistët dhe kategoritë e tjera që mbështeten nga buxheti i shtetit. PDK mbetet e përkushtuar për fuqizimin e grave dhe të rinjve, duke synuar përfaqësimin e barabartë gjinor – 50/50 – në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”, është thënë në njoftimin e PDK-së.