Kontrolloni njëhsorët tuaj: A po paguani rrymë me tarifën e shtrenjtë apo të lirë? 99% me devijim sipas hulumtimit tonë me 1050 njëhsorë - NACIONALE

Kontrolloni njëhsorët tuaj: A po paguani rrymë me tarifën e shtrenjtë apo të lirë? 99% me devijim sipas hulumtimit tonë me 1050 njëhsorë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Një nga format më të lehta për të kursyer energji elektrike është shpenzimi i pajisjeve shtëpiake pas orës 22:00, kur ju shpenzoni energji me tarifë të ulët.

Kjo sepse sipas vendimit të ZRRE-së, tarifa e lartë aplikohet nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 22:00, ndërsa pas kësaj ore hyn në fuqi tarifa e ulët, dukshëm më e lirë. Kjo është arsyeja pse shumë prej qytetarëve aktivizojnë makinën e larjes së enëve, rrobave, boilerin dhe pajisjet e tjera shtëpiake pas orës 22:00, që të kursejnë energji.

Por, çka nëse njehsori juaj i energjisë, kur bëhet ora 22:00, është ende duke faturuar me tarifë të shtrenjtë?

Një hulumtim i Gazetës Nacionale në teren, ka zbuluar të dhëna shqetësuese mbi sinkronizimin e orës së njehsorëve të energjisë elektrike dhe orës reale.

Ne kemi qenë në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Fushë Kosovë, Podujevë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë, ku kemi mbledhur në total 1050 njëhsorë të energjisë elektrike, duke krahasuar orën në këta njëhsorë dhe orën e saktë sipas kohës zyrtare.

Rezultati tregon një devijim të madh: Vetëm 3 njëhsorë nga 1050 në total rezultuan pa asnjë devijim në kohë. Të gjithë të tjerët kishin diferenca.

Mbi 63% e njehsorëve rezultuan se janë mbrapa me kohë, ndërsa mbi 36 përqind ishin përpara.

Kjo tregon se 63% e qytetarëve të cilëve u kemi kontrolluar njëhsorët e energjisë, nuk kalojnë në tarifën e lirë fiks në ora 22:00, duke u dëmtuar direkt, pasi që vazhdojnë të paguajnë me tarifë të shtrenjtë, atëherë kur duhej të ishin duke paguar me të lirën. 36% tjetër, ndoshta edhe përfiton nga ky devijim, me ose pa vetëdije.

Prej 63% të njëhsorëve që rezultuan se janë mbrapa me kohë, pra që nuk hyjnë në tarifën e lirë fiks në ora 22:00, 67% prej tyre ishin mbrapa prej 1-10 minuta, 11% prej tyre ishin mbrapa 10-60 minuta, ndërsa mbi 4% rezultuan mbrapa me mbi 60 minuta.

Në Kosovë, sipas raporteve zyrtare janë mbi 700 mijë njehsorë, prej të cilëve mbi 400 mijë janë njëhsorë të konsumatorëve familje, pra jo biznese dhe industri.

Është shqetësuese ta mendojmë se mbi 60% e këtyre konsumatorëve mund të jenë duke u dëmtuar duke paguar energji elektrike me tarifë të shtrenjtë, kur do të duhej të paguanin me tarifë të lirë.

Është shqetësuese gjithashtu që pjesë tjetër, t’i mundësohet përfitimi në këtë situatë me ose pa vetëdije.

Kjo çështje nuk është e re, në fakt ishte përmendur në një raport të publikuar nga Balkan Green Foundation në nëntor të vitit 2024, të mbështetur nga Ministria Federale e Gjermanisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik, ku thuhet:

“Është e rëndësishme që qytetarët të analizojnë njehsorët elektrikë në Kosovë pasi ora e brendshme e pajisjes në shumicën e rasteve nuk është në sinkron me orën reale, prandaj ë shumicën e rasteve orët digjitale në Kosovë nuk e bëjnë leximin e saktë të tarifave të larta dhe të ulëta”

Askush nuk kishte reaguar pas publikimit të këtij raporti.

Kodi i Matjes, i publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, tek pjesa e sinkronizimit kohor, ndër të tjerash thotë:

“…nëse diferenca është më e madhe se 2 sekonda dhe më e vogël se 9 sekonda atëherë sistemi i AMR-se automatikisht do ta korrigjoj kohën e regjistruar nga njehsori. Aty ku diferenca e kohës është më e madhe se 9 sekonda, koha e regjistruar nga njehsori nuk do të korrigjohet dhe të dhënat e mbledhura do të vazhdojnë të përpunohen kurse do të hetohet shkaku i mospërputhjes dhe të kuptohet efekti i mospërputhjes në mbledhjen e të dhënave.”

Statistikat që dalin nga hulumtimi jonë, tregon se devijimet më të mëdha se 9 sekonda janë në mbi 98% të njehsorve, gjë që do të duhej të ishte alarm për operatorët dhe organet përgjegjëse në mënyrë që qytetarët të mos vazhdojnë të dëmtohen.

Në fund, cili është kuptimi i tarifës të shtrenjtë dhe të lirë, tarifës së ditës dhe natës, kur njehësori nuk është i sinkronizuar dhe llogarit kohën gabim?

Gazeta Nacionale ka dërguar sot pyetje edhe në ZRRE dhe KEDS e KESCO, për të kuptuar pse njehësorët nuk janë të sinkronizuar me kohën reale, ashtu siç përcaktohet me Ligj dhe Kodet e publikuara nga vet Zyra e Rregullatorit Energjisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të raportimit.

Pas publikimit, KEDS ka reaguar duke thënë që të gjithë njëhsorët kalibrohen dhe sinkronizohen në momentin e instalimit.

Ndër të tjerash, KEDS ka thënë se mund të ketë raste të izoluara.

“Në raste të izoluara, mund të ndodhin devijime të vogla për arsye teknike, por edhe në këto raste kohëzgjatja e përfitimit me tarifë të ulët dhe të lartë është e saktë. Pasiqë kohëzgjatja është e matjeve tarifore është e saktë, por ka ndonjë shpërputhje kohore, KEDS reagon menjëherë ndaj çdo ankese apo vërejtjeje nga konsumatorët. Ekipet tona teknike verifikojnë situatën në terren dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për zgjidhjen e shpejtë dhe profesionale të çdo problemi. Prandaj ne kërkojmë nga Partitë politike dhe të gjitha palët tjera që të përmbahen nga deklaratat e pa verifikuara që nuk përkojnë me realitetin”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e KEDS-it.
Sot në mëngjes, lidhur me të njëjtën çështje kanë mbajtur konferencë për media edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku anëtari Visar Azemi ka deklaruar se ka mbledhur disa mostra në Prishtinë dhe Ferizaj ku mbi 80% e mostrave i kanë rezultuar me devijim dhe të sinkronizuara gabimisht.

Lajme të ngjashme