Kontrabanda në veri: Policia e Kosovës shkëmben zjarr me disa të dyshuar, arrestohet njëri prej tyre - NACIONALE

Kontrabanda në veri: Policia e Kosovës shkëmben zjarr me disa të dyshuar, arrestohet njëri prej tyre

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka arrestuar një të serb nga Kosova, nën dyshimet për “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “kontrabandë të mallrave”.

Përmes një komunikate për media, Policia ka konfirmuar se rreth orës 06:00 të mëngjesit, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.

Në përpjekje për kontrollë të tyre, Policia ka hasur në rezistencë nga persona të armatosur. Kështu, kësaj situate, policia i është përgjigjur me armë dhe është arrestuar një nga të dyshuarit.

Po ashtu, konfirmohet se nuk ka zyrtarë të lënduar policorë.

“Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime.” – thuhet në komunikatë.

Gjatë kontrolli, janë gjetur 40 dele pa dokumentacion dhe dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia.

“Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.” – thuhet tutje.

Në fund të komunikatës, thuhet:

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’.

Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend-ngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”.

Lajme të ngjashme