Kontesti pronësor i Ismajl Veliut me famljen e Fitore Pacollit: Qe çka thotë ligji - NACIONALE

Kontesti pronësor i Ismajl Veliut me famljen e Fitore Pacollit: Qe çka thotë ligji

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ismajl Veliu, një burrë 90 vjeçar nga Komuna e Prishtinës tash e dy vjet thotë se është në hall të madh. Një tokë të cilën thotë se e ka blerë qysh para luftës, tashmë po i kontestohet, anipse sipas tij, e dijnë i gjithë fshati (Llajshefc), se tokën në fjalë Ismajli e kishte përdorur në mënyrë të papenguar tash e më shumë se 30 vjet. Madje për këtë Ai për Nacionalen, thotë se po kërcënohet nga familja e deputetes Fitore Pacolli, konkretisht nga Ramiz Pacolli e Blerim Pacolli.

Tashmë kjo çështje veqse është në një proces gjyqësor. Pritet që në fund të muajit, kjo çështje të jetë prapë subjekt i Gjykatës.

Çka thotë ligji?

Ligji për Pronësinë dhe të Drejtat tjera Sendore, i cili i rregullon kontestet pronësore, e me anë të se cilët Gjykatat venosin në të tilla raste, e njeh atë që quhet Fitimi me Parashkrim

Neni 40 i këtij Ligji thotë kështu: "Personi i cili me mirëbesim e ka njëzet (20) vjet në posedim të pandërprerë një palujtshmëri ose një pjesë të saj, e fiton pronësinë në të.”

Në seanca gjyqësore zakonisht në këto raste, kërkohen dy e më shumë dëshmitar të cilët e dëshmojnë se personi, e ka përdorur tokën për 20 ose më shumë vjet, në mënyrë të papenguar dhe të pakontestuar nga askush, për ato vite.

E sipas rrëfimit të z. Ismajl, del se ai ka dëshmitar madje siç shprehet ai “krejt katunit”, se tokën e ka përdorur Ai, për më shumë se 20 vjet.

Rrëfimi i Ismajl Veliut

Veliu rrëfen për Nacionalen problematikën me të cilën po përballet tash e dy vite me familjen e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Më saktësisht, bëhet fjalë për një pronë e që sipas Veliut janë të përfshirë edhe familjarët e deputetes Pacolli, vëllau Blerimi e babai Ramizi.

Për pronën që tashmë kanë probleme, Ismajl Veliu thotë se e ka blerë qysh para lufte, të cilën e ka punuar vazhdimisht. Por, tash e dy vite Ramiz Pacolli "i'a ka paralizuar tokën".

Veliu thotë se bashkë me nipin e tij e kanë takuar Ramiz Pacollin.

"Jam takuar me Ramizin, Ramiz a je i bindur që e kam blerë.. jam i bindur ka thënë, po unë e kam me letra".

Tutje, ai tregoi se babai i deputetes, e ka kërcënuar atë.

"Në hava kam me të çu, se e kam çikën zv. e komandantit.. edhe e kam çikën deputete. E për këtë, Hysni Gërbeshin e ka organizu që me më rreh e me më mbyt me dru".

Ai na tregoi se edhe vajzat e tij kanë tentuar që të kontaktojnë me deputeten në fjalë në mënyrë që të mirren vesh.

"Fitore, qeshtu, qeshtu i kanë shkruajtur, babai yt, se vëllau nuk është lajmëru deri vonë. Po na e merr pasurinë, përgjigjen i'a ka kthye, e i ka thënë nuk përzihem në ato punë...".

Veliu me lot në sy, e shumë i emocionuar thotë se sipas dokumenteve Ramiz Pacolli e ka blerë pronën në fjalë në vitin 2014, por pavarësisht kësaj Ismajl Veliu nuk ka qenë në dijeni e ka vazhduar ta punoj tokën, edhe shumë vite të tjera.

"Më ka bë hajn, më ka bë ozurpues.. kjo punë po zhagitet. Shkaku i kësaj toke, djali jem ka ik e ka shku në Gjermani".

Çka tha Fitore Pacolli?

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, lidhur me akuzat ndaj saj, në një përgjigje për Nacionalen ka thënë se rasti është në gjykatë dhe si i tillë vendoset aty. E pyetur për kërcënimet e lartpërmendura, ajo tha se babai dhe vëllai i saj nuk kanë kërcënuar.

"Rasti është në gjykatë, gjykata e zgjedhë. As babai im e as vëllai im nuk kanë kërcënuar. Rasti është mes vëllait dhe atij. Asnjëri nuk kërcënojnë. Kurrë një jetën time nuk kam dëgjuar që kërcënon babai ose vëllai im. Rasti është në gjykatë mes vëllait tim dhe personit në fjalë. Kur ta zgjedhë gjykata rastin, merret vendimi. Për këtë çështje mund t’i kontaktoni personat që janë të involvuar, jo mua." - ka thënë ajo.

E avokatja e Blerim Pacollit, Lule Bilalli Ymeri për Nacionalen ka thënë se rasti është në procedura gjyqësore, e se konsideron se në këtë fazë nuk mund të ndaj më shumë informata.

“Po është vërtetë që jam e autorizuar nga paditësi Blerim Pacolli në këtë çështje civilo juridike. Por, meqenëse jemi ende në procedurë gjyqësore, me të vetmen arësye që ky proces të zhvillohet drejtë dhe pa ndërhyrje konsideroj se në këtë fazë nuk mund të ju jap më shumë informata lidhur me këtë çashtje.”

Lajme të ngjashme