"Konstituimi" i Kuvendit: Osmani u zotohet ambasadorëve se "do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën"
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takime të ndara ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Këto vizita u zhvilluan vetëm një ditë pas takimit të saj me kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit, Dimal Basha, vendimi i të cilit për konstituimin e Kuvendit është cilësuar nga ish-opozita si një “tallje” me rendin kushtetues.
Sipas njoftimit të Presidencës, në qendër të bisedimeve me ambasadorin gjerman ishte procesi i formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Osmani citohet të ketë theksuar se “do të veprojë në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës.”
“Ndër të tjera, u diskutua për procesin e konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Presidentja ka riafirmuar se sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.– tha në njoftim.
Ashtu si edhe në takimin me ambasadorin gjerman, edhe në takimin me ambasdorin gjerman, ka përsëritur se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje me Kushtetutën.
“Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës. Ajo ritheksoi përkushtimin për avancimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve, me synim forcimin e marrëdhënieve dhe përmbushjen e aspiratave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik.
Në kuadër të diskutimeve, u diskutua edhe procesi i konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Me këtë rast, Presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar.”
Takimet me diplomatët perëndimorë vijnë në dritën e polemikave mbi konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi në seancën e fundit konstitutive nuk u arrit të zgjidhet njëri nga pesë nënkryetarët – ai nga komuniteti serb. Pavarësisht kësaj, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e deklaroi Kuvendin “të konstituar”.
Ish-opozita e ka quajtur këtë vendim "qesharak" dhe “tallës” me institucionet, duke paralajmëruar bojkot të takimeve konsultative.
"Qytetarët po e shohin dhe nuk do ta harrojnë. Përtej talljes me shtetin ështjë bërë edhe e rrezikshme. E kanë kthy në Big Brother kuvendin, me pa kush po eliminohet e kush po humb. Kjo ska ndodh asnjëherë, ka mungesë totale të përgjegjesisë. Ka sjpërfillje të rendit kushtetues", tha Krasniqi. Janë duke sharruar edhe më tej në shkelje kushtetuese", kishte deklaruar Krasniqi.
Në anën tjetër, Basha ka arsyetuar se pas disa tentativash të dështuara për zgjedhjen e përfaqësuesit nga komuniteti serb, pika përkatëse e rendit të ditës është ezauruar dhe se “moszgjedhja e njërit prej pesë nënkryetarëve nuk mund të pengojë konstituimin e Kuvendit”.
"Janë ezauruar të gjithë nga komuniteti serb, asnjë nuk u zgjodh në të gjitha tentativat. Ne si Kuvend skemi mundësi të vazhdojmë, prandaj me këtë rast, konsideroj që kemi ezauruar pikën e 4të të rendit të ditës, dhe ska mundësi tjetër. Konsideroj që kjo seancë mbyllet dhe kuvendi është konstituuar", tha Basha.