Kush po rren? Konjufca thotë se ka informacione që do të përdoret termi "të zhdukur me dhunë" - NACIONALE

Kush po rren? Konjufca thotë se ka informacione që do të përdoret termi "të zhdukur me dhunë"

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Dje në Bruksel është mbajtur takimi mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq por ujdia që është arritur edhe më tej nuk është e qartë.

Serbia dhe Kosova thuhet se kanë arritur në një marrëveshjë rreth një deklarate për personat e pagjetur, ku janë përdorur terma të ndryshme nga të dy palët.

Petkoviq nuk ka pranuar termin e përdorur nga pala kosovare ‘’zhdukje e dhunshme’’, për shkak të interesave të Serbisë - siç ka thënë.. Ata iu referuan si ‘’persona të pagjetur’’.

Në anën tjetër, Andin Hoti nga komisioni qeveritar ka thënë fillimisht se është arritur marrëveshje që të përdorej termi "të zhdukur me dhunë" por më pas e ka fshirë statusin dhe e ka hequr termin nga paragrafet e para në statusin e radhës.

Lidhur me këtë marrëveshje, u shpreh Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se sipas informacioneve të tij, do të përdoret termi ‘’zhdukje me dhunë’’, pasiqë ashtu përdoret edhe në konventat ndërkombëtare.

Ai ndër të tjera tha se Serbia gjithmonë është përpjekur që t'i ikë këtij termi, duke përdorur terminologji tjetër për tÇi ikur përgjëgjësisë që ka mbi të gjithë ata që janë zhdukur me dhunë- raporton Albanian Post.

“Informacioni im është që ky term do të përdoret në marrëveshje, pra termi ‘të zhdukurit me dhunë’. Kosova e ka arritur këtë që të përdoret ashtu siç përdoret nëpër konventa ndërkombëtare, sepse Serbia gjithmonë është përpjekur që ta përdorë një terminologji tjetër për t’i ikur përgjegjësisë që e ka për të gjithë ata që janë të zhdukur me dhunë, sepse kur thuhet që janë të zhdukur me dhunë atëherë ata i ka zhdukur dikush, e ky dikush është shteti i Serbisë me gjithë aparaturën shtetërore”- tha Konjufca.

Lajme të ngjashme