Konjufca mbi dhe përtej VV-së për Gjyqin në Hagë, i shqetësuar për pasojat "sepse UÇK-ja themeli i Pavarësisë"
Tregimi i zi që i ishte dhënë botës për Kosovën përmes një akuze famëkeqe të përpunuar nga Prokuroria dhe Shteti i Serbisë, përpiluar nga Konstatin Kosachevi rus dhe përçuar nga Dick Marty zviceran prodhoi Gjykatën Speciale. Drejtues të luftës dhe themelues të shtetit e gjetën vetën të akuzuar në vetë bankat e Këshillit të Evropës si paradhomë e Bashkimit Evropin, nga Dick Marty, se kishin “vjelur organe”. Një pretendim i tillë kishte vërshuar mediat e botës. Kosova u gjet para një ndrydhje ndërkombëtare për të miratuar një institucion hetimi dhe drejtësie ndërkombëtare dhe opsionet i kishte dy-fare: të miratojë një Gjykatë vetë, ose t’i bie imponueshëm nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së me gjyqtarë rusë e kinezë. U zgjodh e para. Aktakuza erdhi tek në vitin 2020, dhe u ngrit nga amerikani Jack Smith, i cili “vjeljen e organeve” s’e kishte përfshirë në asnjë germë të tekstit e pikë të aktakuzës. Gravitetin e pretendual kriminal drejtuesve të UÇK-së ua dha për "Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale". Ai vetë e lëshoi procesin, dhe shkoi të ndiqte penalisht Donald Trump-in e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për çka sot është i ndjekur vetë nga administrata Trump. Kryetarja e kësaj Gjykate Speciale, Ekaterina Trendafilova shprehej pa-një-pa-dy se kishin “konstatuar” se paraburgimi “nuk mund të zgjasë më shumë se një vit”. U bënë pesë. Për legjitimitetin e tyre, ajo madje thoshte për media se kanë kryer "sondazh" sipas të cilit kosovarët po e çmonin dhe vlerësonin punën e tyre. Tash procesi ka hyrë në fazën përfundimtare dhe Prokuroria e Specializuar ka kërkuar gatise dy shekuj burgim për katër ish-drejtuesit e UÇK-së. 17 shkurti i pavarësisë, në anën tjetër, do të jetë 17 shkurt edhe i kërkim të drejtësisë në Hagë me një marsh “më të madhin ndonjëherë” të paralajmëruar.
...
Partia Vetëvendosje qëndrimin e saj ndaj Hagës e ka pasur lakonik: “Të kërkojnë falje ata që themeluan, ne ishim kundër”. Për pesë vite qëndrimi i tyre është parë indiferent edhe kur ka pasur raportimeve për shkelje masive të të drejtave të njeriut të të akuzuarve në Hagë, dhe kur procesi është përcjellur me anomi të mëdha. Por, në fazën përmbyllëse të gjyqit, Glauk Konjufca, i cili i kishte vizituar edhe më herët krerët në Hagë, ka dalë më toniku. Konjufca mbrëmë në Mynih paralajmëroi për “renë e zezë” që dënimi eventual i synuar nga Haga provon të shtrojë mbi shtetësinë e Kosovës.
“Ne si shtet mendojmë që kjo ishte një aktakuzë skandaloze sa i përket krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi qëndrimin e qartë që UÇK-ja është në bazën e lirisë edhe pavarësisë së shtetit tonë. Ajo është vlera më sublime që ka arrit me kriju populli i Kosovës...Kush thotë që qëllimi i UÇK-së ishte spastrimi i serbëve apo ishte eliminimi i figurave tjera politike, apo ishte targetimi i pakicave kombëtare apo i gjithë atyre që nuk pajtohen me UÇK-në. Kjo është një huqje shumë e rrezikshme, e cila qëllimin e ka fort të keq, dhe ky qëllim është me vendos re të zeza mbi shtetësinë dhe mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
Edhe ditë më parë Glauk Konjufca i Vetëvendosjes i ka quajtur shpifje dhe ofendim “në palcë” pretendimet dhe kërkesat e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara ndaj ish-figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndal të cilëve është kërkuar burgim në total prej 180 vitesh.
Konjufca u shpreh i bindur se ky proces dhe këto pretendime ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit "do të dështojnë" dhe se këta figurat e larta të UÇK-së "do të dalin të pafajshëm".
“Prap do të shkojë në Hagë. Do të jem aty në ditën përfundimtare, kam apliku për m’e qenë atje, dhe do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në atë proces. Unë pres që ky proces, këto akuza, me dështu. Janë të paqëndrueshme, janë shpifje, janë gënjeshtra të cilat ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare. Dhe pikërisht pse do të dështojnë, unë mendoj që pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi do të dalin të pafalshëm”, tha Konjufca.
Serbia e gëzuar...
Gjyqi në Hagë ka hyrë në fazat përfundimtare ndërsa zyrtarë kyç shtetëror të Serbisë po e shohin si “të një rëndësie të madhe” që ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënohen.
Millovan Dreçun, drejtues i Komisionit Parlamnentar për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, tha se me t’u konfirmuar “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale”, siç pretendon Prokuroria e Specializuar, atëherë kjo përkthehet në të mirën e Serbisë dhe pretendimeve të saj ndaj Kosovës.
“Sepse lind menjherë pyetja e shtetit të rremë të Kosovës”, tha ai në Radio Televizionin e Serbisë.
Dreçun tha se personalisht ai ka punuar shumë “që të ngritet ky gjyq, dhe kjo aktakuzë” dhe se ka mbledhur “prova dhe fakte” dhe për t’ia dorëzuar ato Prokurosisë së Specializuar së Hagës “me të cilët kam bashëpunuar:”
“Është shumë e rëndësishme që ata të denohen, që kualifikimi i ‘Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale’ të verifikohet (me vendim) nga paneli gjyqësor. Dhe vetëm atëherë do të lind menjëherë pyetja: cila është baza e shtetit të rremë të Kosovës. Aktakuza thotë se të githë anëtarët e UÇK-së terroriste morën pjesë në atë ndërmarrje, prej selisë kryesore deri te, siç thonë ata, te ushtari i fundit.
Për vite me radhë kam punuar për ta sjellë këtë gjyq, për ta sjellë ngritjen e kësaj aktakuze. Juve ju kujtohet kur e formova një grup pune që u mor me faktet dhe provat e mbledhura. Vendosa bashkëpunim me zyrën e Prokurorit të Specializuar; dhe, qysh atëherë, e pashë se çështja në aktakuzë do të ishin ndalimet e paligjshme dhe organizimi hierarkik i UÇK-së”, tha Dreçun.