Konjufca i thuri lavde Mustafës, por letra e Mogherinit e përçan pushtetin
Letra garantuese e ish-Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të përbëjë nivel të tretë të pushtetit, është kthyer sërish në diskutim në debatin publik në Kosovë. Deri sa letra duket se ka shuar paksa tensionet e vjetra, ajo ka ndezur një “përplasje” të re brenda koalicionit qeveritar. Çfarë ndodhi?
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka befasuar me një deklaratë, teksa ka komentuar letrën e ish-diplomates italiane Mogherini, duke ia njohur kontributin ish-kryeministrit Mustafa, në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.
Kryeparlamentari Konjufca, tha se ajo letër po i ndihmon shumë sot Kosovës.
“Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdorë. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”, ka thënë Konjufca.
Isa Mustafa
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka kuptuar rëndësinë e letrës së Frederica Mogherinit.
Një një intervistë për gazetën Nacionale, Mustafa, duke përgëzuar Konjufcën, ka thënë se në politikë nuk është e lehtë të pranohet e vërteta.
Tutje, ish-kreu i LDK-së, ka thënë se kryeministri Kurti ka në dijeni për ekzistimin e letrës së ish-shefes së diplomacisë evropiane.
“Është me rëndësi që disa prej tyre e kanë kuptuar. Sidomos z. Konjufca. Në politikë nuk është lehtë të thuhet dhe të pranohet e vërteta. Sepse, njerëzit parapëlqejnë më shumë gënjeshtrat dhe mashtrimin, jetojnë me premtimet dhe jo me realitetin”, ka thënë Mustafa.
“Z. Kurti e ka ditë për letrën. Kam folur për te dhe e kam bërë publike. Por, nuk iu ka interesuar fare. Kanë këmbëngulë “Zajednica nuk kalon”. Kanë ofenduar dhe kërcënuar”, ka thënë tutje Mustafa.
“Përplasja”
Rreth letrës ditë më parë ka folur edhe deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, e cila e bëri një deklaratë qesharake, duke thënë se nuk e ka ditur se ekziston një letër e tillë, ndonëse ajo ishte bërë publike personalisht nga Mustafa në tetor të 2020.
“Tani ne kemi një vizion, e kemi një vizion, i cili është në komplet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është në përputhje me Letrën e Mogerinit e cila ka thënë që s’ka kompetenca ekzekutive.” – deklaroi së pari deputetja Pacolli.
Në ndërhyrjen e z. Imer Mushkolaj, analist, gjatë debatit, në “Debat Plus” i tha që të njëjtën letër nuk e kanë përmendur deri më tani.
“Të cilën (letër v.j.) nuk e keni përmendur deri tani”, tha z. Mushkolaj.
Ndërsa, zonja Pacolli befasoi edhe më tepër se Konjufca më përgjigjen pwr letrwn e Mogherinit.
“Po letrën s’e kemi ditë që ekziston”, deklaroi Pacolli.
Por ndryshe, nga zonja Pacolli, duket mendon deputeti nga radhët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli.
Me anë të një postimi në Facebook, Avdyli ka thënë se qeveria e Mustafës nuk mund të shfajësohet më një letër.
“Dërgimi në kushtetuese e Asociacionit dhe letra e Mogherinit një tentativë e kotë për tu shfajësuar”, ka shkruar Avdyli në Facebook.
Avdyli ka thënë se as Lumi Bistrica nuk i pastron ata që kanë pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi ASK-ja e minon shtetin e Kosovës.
“Sado që këta kumbarët e asociacionit kanë për tu munduar të shpëlahen nga përgjegjësia me do letra e procedura normale, as lumi Bistricës nuk shpërlan dot që kanë pranuar që Kosovës ti shtohet një asociacion për komunat të cilat i japin llogari politike shtetit që mohon ekzistencën tonë “, ka vazhduar ai.


