Intervistë | Mustafa: Mirë që Konjufca e ka kuptuar rëndësinë e letrës, në politikë s`është lehtë të thuhet e vërteta - NACIONALE

Intervistë | Mustafa: Mirë që Konjufca e ka kuptuar rëndësinë e letrës, në politikë s`është lehtë të thuhet e vërteta

3 javë më parë

nga Muhamet Koci

Edhe ish-kryeministri Isa Mustafa ia ka “dhënë” dorën kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili e ka pranuar rëndësinë e letrës së Federica Mogherini për Asociacionit.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufa, e ka kuptuar rëndësinë e letrës së Frederica Mogherinit, e cila flet për natyrën e kompetence të Asociacionit.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që disa zyrtarë të VV-së tashmë e kanë kuptuar vlerën e kësaj letre dhe rolin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Mustafa ka vlerësuar se në politikë nuk është e lehtë të pranohet e vërteta.

Sipas tij, në politikë njerëzit parapëlqejnë më shumë gënjeshtrat dhe mashtrimin.

Mustafa ka treguar se të gjithë zyrtarët e VV-së, përfshirë kryeministrin Kurti, kanë qenë në dijeni për ekzistimin e letrës së ish-shefes së diplomacisë evropiane.

Ish-kryeministri ka thënë se VV-së dhe Kurtit në atë kohë nuk iu ka interesuar përmbajtja e letrës.

Sipas tij, ata këmbëngulnin vetëm në sloganin “Zajednica nuk kalon”, duke ofenduar dhe kërcënuar.

Nacionale: Z. Mustafa, kryeparlamentari Konjufca dje ua ka dhënë meritat për letrën që keni nxjerr nga znj. Mogherini, e cila është një siguresë e fort në raport me Asociacionin. Cili është vlerësimi i juaj për këtë qëndrim të Konjufces?
Mustafa: Letra është shumë e rëndësishme, sepse përmban zotimin e BE-së për natyrën e Asociacionit. Aq e rëndësishme është edhe pika 2 e Dokumentit 2015, e cila parasheh rolin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për të siguruar që Statuti dhe çdo ndryshim i mëvonshëm i tij duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën.

Nacionale: A është i vonshëm ky reflektim i VV-së ndaj jush dhe procesit të dialogut?
Mustafa: Është me rëndësi që disa prej tyre e kanë kuptuar. Sidomos z. Konjufca. Në politikë nuk është lehtë të thuhet dhe të pranohet e vërteta. Sepse, njerëzit parapëlqejnë më shumë gënjeshtrat dhe mashtrimin, jetojnë me premtimet dhe jo me realitetin.

Nacionale: Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka thënë se nuk ka qenë në dije për këtë letër. A e kanë njohur këtë letër në atë kohë zyrtarët e VV-së dhe z. Kurti?
Mustafa: Z. Kurti e ka ditë për letrën. Kam folur për te dhe e kam bërë publike. Por, nuk iu ka interesuar fare. Kanë këmbëngulë “Zajednica nuk kalon”. Kanë ofenduar dhe kërcënuar….

Nacionale: Qeveria tashmë ka shkarkuar Ekipin Menaxhues, i cili e ka prezantuar një draft-statut në Bruksel. Si e keni parë këtë veprim të qeverisë, a është dashur të merret më herët qeveria me këtë ekip?
Mustafa: Ekipi Menaxhues është dashur të ndërrohet para se ta fillojnë punën dhe të caktohet nga Qeveria Kurti. Por, Kurti nuk e ka bërë këtë, sepse nuk ka dashur ta pranojë publikisht se ekipi i tij po e harton një draft të statutit të “Zajednicës” së tij. Tani ky draft i ka mbetur në derë, e shkarkoi apo jo!

Nacionale: Ndërkombëtarët po insistojnë se pikënisje për themelimin e Asociacionit do të jetë ai draft, kurse vendorët po thonë se pikënisje duhet të jetë mendimi i Gjykatës Kushtetuese. Çfarë duhet të bëj Qeveria e Kosovës tani?
Mustafa: Drafti flet për Asociacionin e komunave serbe, Marrëveshja e vitit 2913/2015 flet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. S’kanë asgjë të përbashkët, qoftë në titull apo në përmbajtje. Prandaj, nuk mund të shërbejë si pikënisje një dokument fantazmë, për të cilin nuk është dialoguar asnjëherë.

Por duhet të shtoj se Letra e Mogherinit dhe autoriteti i Gjykatës Kushtetuese vlen për Asociacionin, nuk vlejnë për vetmenaxhimin (Marrëveshjen e këtij viti, pika 7). Vetmenaxhimi/vetëqeverisja janë koncepte me kompetenca ekzekutive. Prandaj, Qeveria dhe Kurti duhet t’ia sqarojnë vetes dhe opinionit se çfarë detyrime kanë marrë me vetmenaxhimin e serbëve. Letra e Mogherinit këtu nuk i mbulon. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë opinion për vetmenaxhimin e serbëve.

Lajme të ngjashme