Konfiskimi i sirenave, vendimi për Veting e paralajmërime për sulm nga Serbia: Ngjarjet kryesore të javës - NACIONALE

Konfiskimi i sirenave, vendimi për Veting e paralajmërime për sulm nga Serbia: Ngjarjet kryesore të javës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Fundi i vitit 2023 po përcillet me ngjarje të ndryshme, të cilat gjithashtu kanë qenë gjatë gjithë kohës temë kryesore në Kosovë.

Gjatë javës së fundit ka pasur disa zhvillime të rëndësishme. Në pjesën veriore janë konfiskuar sirenat e alarmit të cilat lëshoheshin sapo kishte ndonjë zhvillim në atë zonë.

Policia e Kosovës ka konfiskuar një sirenë alarmi dhe gjashtë altoparlantë (zmadhues zëri) në veri të Mitrovicës.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

"Kjo sirenë dhe këta altoparlantë kanë shërbyer në periudha të ndryshme kohore për prishjen e rendit dhe qetësisë publike", tha Elshani.

Gjithashtu janë konfiskuar edhe dhjetëra kamera të vendosura nga strukturat paralele serbe në disa komuna me shumicë serbe.

Kur është fjala për Serbinë, ditën e shtunë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dolën me një konferencë përmedia.

Aty, Kurti tha se Serbia është duke organizuar sulme të tjera ndaj Kosovës siç ishte rasti në Banjskë.

“Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj. Deri në shtator të këtij viti, ato janë shfrytëzuar nga turistët me qira. “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe Hotel “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq, e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, e tjetra nga Kryeministrja Ana Bërnabiq”, tha Kurti.

“Njëkohësisht, një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në “Pasuljanke Livade”, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, deklaroi kryeministri.

“Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovë, kemi marrë vesh se ka ndryshuar, pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera të ndërmarra nga ne”, tha ai.

Gjatë konferencës u shpalosën detaje e fotografi të grupit terrorist që kreu aksionin në Banjskë.

Ditën e premte, Gjykata Kushtetuese mori vendimin lidhur me një prej reformave më të mëdha e më të rëndësishme të drejtësisë, atë të Vetingut. Kushtetuesja i cilësoi të pranueshme shumicën e amendamenteve që ishin dërguar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Më poshtë janë të paraqitura konstatimet e Kushtetuese në lidhje me këto amandamente, të cilat janë votuar me gjashtë vota pro dhe 2 kundër.

‘’Amendamenti i propozuar kushtetues nr.29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar/i përkohshëm i integritetit të “[…]anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidatëve për këto pozita[…]”, nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit (Autoriteti), nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.’’

‘’Amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimet “në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme” ose “ka bërë shkelje të rënda disiplinore”, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.’’

‘’Amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme” me vendim gjyqësor përfundimtar, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.’’

‘’Amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të “mosrespektim të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “ka integritet të cenueshëm”, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.’’

Lajme të ngjashme