Komunat kërkojnë nga Qeveria rimbursimin e mjeteve nga falja e 100 eurove prej Tatimit në Pronë
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga niveli qendror rimbursimin e mjeteve nga falja e 100 eurove prej Tatimit në Pronë.
Përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve të Kuvendit, dhe shefa të Grupeve Parlamentare, ky bord ka vlerësuar se falje e këtyre mjeteve do të varfëronte buxhetin e komunave.
Në këtë letër bordi ka bërë me dije se faljen e shumës së këtyre mjeteve duhet ta mbuloj niveli qendror.
“Nga analizat tona mund të konkludohet se nga një veprim i tillë komunat mund t’i kenë për 40% më të ulta të hyrat vetanake për vitin 2023 sesa është paraparë nga projekcionet buxhetore. Duke ditur këto, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon nga Ju që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbuloj niveli qendror në mënyrë që të mos varfërohen Komunat e Kosovës dhe të mos ketë ndikimin në realizimin e projekteve kapitale të parapara me buxhetet komunale të këtij viti”, është thënë në letër.
Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës ka kaluar Projekt Ligji për plotësim ndryshimin e Tatimit në Pronë me anë të së cilit është propozuar edhe falja e 100 eurove të para nga tatimi në pronë i qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Asociacioni ka bërë me dije se komuna nuk jemi konsultuar për këtë propozim dhe as për ndikimet që do ti ketë ky Ligj në buxhetet komunale dhe realizimin e projekteve të tyre kapitale.
“Edhe me këtë rast, nuk janë marrë fare parasysh specifikat e Komunave e ku kjo do të afektoj sidomos komunat e vogla kur të hyrë kryesore kanë të hyrat vetanake nga tatimi në pronë. Me këtë projektligj, niveli qendror tash do t'i detyrojë komunat të marrin vendime për faljen e 100 eurove të para e sidomos tashmë pasi janë shpërndarë faturat e tatimit në pronë dhe në anën tjetër janë aprovuar buxhetet komunale me projeksionin e të hyrave pa falje dhe mbi bazën e këtij projeksioni buxhetor është paraparë edhe realizimi i projekteve kapitale”, është thënë në letrën e Asociacionit.