Komuna e Prishtinës i kishte ndarë 386 mijë euro për rikonstruktimin e kulmit që ra sot
Gjatë ditës u njoftua për një ngjarje tragjike, ku si pasojë e rënies së kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës, mbeti e lënduar një grua, e cila po trajtohet në QKUK. Në objektin e ndërtuar në vitin 2009, Komuna e Prishtinës hapi një tender për “rikonstruktimin e kulmit”. Tenderi ishte nënshkruar më katër gusht të vitit 2023, ndërsa parashihej të përfundonte brenda 12 muajve nga dita e nënshkrimit të kontratës.
Më 4 gusht të vitit 2023, Komuna e Prishtinës nënshkroi kontratën për “rikonstruktimin e kulmit” me kompaninë “NBT-ING sh.p.k.” nga Suhareka.
Sipas dosjes të publikuar nga Komuna e Prishtinës, vlera totale e kontratës është 386 mijë euro. Kontrata parashihej të zgjaste 12 muaj, ndërsa ajo hyri në fuqi pas nënshkrimit të kontratës.
Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një sqarim në lidhje me këtë temë nga Komuna e Prishtinës dhe nga Bexhet Bafjaraj, pronar i kompanisë “NBT-ING”.
Përkundër insistimit të Nacionales, asnjëra palë deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Çka ndodhi sot?
Në lidhje me aksidentin tragjik, ku mbeti e lënduar një qytetare, ka reaguar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën ‘Nora e Hotit’ në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Agron Borovci.
Sjellim ndërmend që në një përgjigje për gazetën Shneta, Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë e ka konfirmuar se fatmirësisht nuk ka të vdekur nga rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen "Arbëria".
Drejtori i QMU-së, doktor Avdyl Pacolli, ka dhënë disa detaje nga intervenimi i ekipit mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Është një grua e lënduar. Ka pësuar politraumë dhe traumë të shumëfishtë në ekstremitete. Një plagë në kokë. Pacientja është stabilizuar në vendin e ngjarjes dhe me parametra stabil është dërguar në Emergjencën e QKUK-së”, ka bërë të ditur Avdyli.
Megjithatë, gruaja e lënduar ka pësuar lëndime të rënda në trup.
“Sapo është sjellë në Emergjencë. Gjendja e saj është stabile por që ka disa lëndime goxha të rënda në trup”, ka theksuar Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjencës në QKUK për Ekonomia Online.