Kompania nga Zagrebi e fiton projektin 15 milionë eurosh në Telekom - NACIONALE

Kompania nga Zagrebi e fiton projektin 15 milionë eurosh në Telekom

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfolur shumë për përfshirje në afera korruptive në sektorin e energjisë. Nuk dihet nëse Berisha ka ndonjë lidhje me kompaninë nga Zagrebi që e fitoi tenderin shumë milionësh me Telekominin e Kosovës.

Dje përmes një komunikate për medie, Telekomi i Kosovës njoftoi se ka nënshkruar një kontratë me Ericsson Nikola Tesla, një kompani nga Krocia, për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit mobil të telekomit kosovar. Shuma e tenderit është 15 milionë euro.

“Pas një procesi të hapur dhe të suksesshëm të tenderimit, Kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, nënshkroi sot kontratën kornizë, në vlerë prej 15 milionë eurove, në mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Ericsson Nikola Tesla nga Zagrebi, me të cilën vazhdon bashkëpunimi në mes të dy kompanive për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit mobil të Telekomit të Kosovës Sh.A.” – shkruhet në njoftim.

“Në fund të këtij procesi, Telekomi i Kosovës do të jetë i pajisur me teknologjinë e fjalës së fundit dhe shtrirjen/mbulueshmërinë më të madhe në territorin e Kosovës me teknologjinë 4G+ dhe 5G. Ndërsa qytetarët e Kosovës, përkatësisht konsumatorët e Telekomit të Kosovës do të kenë shërbimet më të avancuara dhe produktet më atraktive në treg.” – thuhej tutje në njoftimin e Telekomit.

Në lidhje me këtë kontratë ka shkruar edhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë.

“Investimet po vazhdojnë: në modernizimin e rrjetit me teknologji 4g+ (5g-ready), dhe 5g në qendrat e mëdha.” – shkroi ajo.

Kompania Ericsson Nikola Tesla është një kompani kroate që operon më tregun global të telekomunikimit. Sipas uebfaqes zyrtare, kompania merret me marketing e shitje, hulumtim dhe zhvillim, dizajnim të zgjidhjeve të komunikimit.

“Aktivitetet e kompanisë përfshijnë marketingun dhe shitjet, kërkimin dhe zhvillimin, dizajnimin e zgjidhjeve totale të komunikimit, shërbime në fushën e rrjeteve me shumë shërbime dhe celulare, duke përfshirë internetin celular dhe integrimin e sistemeve komplekse në të gjitha fushat e biznesit. Kompania ofron zgjidhje inovative në shëndetësi, transport, administratë shtetërore, shërbime komunale dhe multimedia që përmirësojnë vazhdimisht jetën e njerëzve dhe krijojnë vlera të reja. Kompania operon në zonën e tregut Ericsson në Evropë dhe Amerikën Latine.”shkruhet në uebfaqen e kompanisë.

Lajme të ngjashme