Komisioni për Buxhet nuk thërret mbledhje qe disa muaj, punëtorët e RTK-së mbesin pa paga (DOKUMENT) - NACIONALE

Komisioni për Buxhet nuk thërret mbledhje qe disa muaj, punëtorët e RTK-së mbesin pa paga (DOKUMENT)

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përmes një emaili, punëtoret e RTK-së sot janë njoftuar se do të marrin vetëm gjysmën e pagave që kanë për muajin prill, ndërsa pjesën tjetër pas mbledhjes së Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Pse u lanë këta punëtorë me gjysmë page?

Në emailin e dërguar nga Drejtori i Përgjithshëm RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj, thuhet se pjesa tjetër e pagës do të ekzekutohet porsa të kryhet transferi nga Buxheti.

‘’Aktualisht ne kemi buxhet për pagesën e vetëm 50%, të kostos së pagave tuaja (duke përjashtuar pagat për Bordin dhe menaxhmentin), gjë të cilën do ta ekzekutojmë sot, ndërkaq gjysmën tjetër porsa të kemi transferin nga Buxheti.’’- ka thënë Ahmetxhekaj.

Në anën tjetër punëtorët e RTK-së i kanë thënë Nacionales se kjo është hera e parë që vonohen pagat dhe në fund jepen vetëm 50%.

‘’Gjithmonë pagat kanë dalë më të parin, në rast se i pari i ka ra ditë vikendi pagat kanë dalë më herët. Kësaj radhe pagat janë vonuar ende edhe sot nuk kanë dalë, ndërsa në mëngjes na ka ardhë një email ku jemi lajmëruar se pagat do të dalin vetëm 50%, asnjëherë nuk ka ndodhur kjo në RTK.’’- kanë deklaruar nga RTK-ja.

Ndërsa shefi i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini për Nacionalen, ka deklaruar se problemi qëndronte te Komisioni për Buxhet dhe Transfere, pasi që nuk e kanë thirr mbledhjen e cila mbahet çdo tre muaj.

Sipas Boletinit disa mjete qe jane të dedikuara për gjëra tjera do të merren që të paguhen 50% e pagave të punëtorëve.

‘’Së pari problemi qëndron se Komisioni për Buxhet dhe Transfere nuk po mblidhet dhe ne çdo tre muaj shkojmë me raportu për shpenzimet e tre muajve paraprak dhe njëkohësisht prezantojmë edhe projeksionin për tremujoret e radhës. Prandaj në këtë situatë nuk kemi pranu mjete për tremujorin e radhës. Nga disa mjete që janë të dedikuara për një gjë tjetër do të paguhen 50% e pagave. Ajo çka di te sigurt është qe bordi dhe menaxhmenti nuk i marrin këto 50%, ndërkaq a e mbërrijnë çdo punëtor, nuk e di saktë, se a mbërrijnë ato mjete me i "përtheku" krejt. Prandaj ju sugjeroj qe ta kontaktoni drejtorin e përgjithshëm.’’- ka thënë Boletini.

Për mos ekzekutimin e plotë të pagave, ka reaguar edhe Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka akuzuar bordin se nuk është duke reagur ndaj Komisionit, i cili po refuzon të mblidhet.

Sipas Hoxhës, më mirë është t’i vendoset dryni RTK-së, se sa të behët hajgare më të.

‘’ Besoni nuk ka nderhyrje më të madhe ne pavarësinë e një Transmetuesi Publik se sa politika me vendosë kur me t'i dhënë paratë të cilat të takojnë me ligj.E keni mundësinë qitjani drynin po hajgare mos boni me neve. Ajo çka po me irriton më së shumti është mosguximi i Bordit me ngritë zërin për këtë çështje. Dilni more folni se nuk ka kurgjo më të keqe e më të dëmshme se nënshtrimi.’’- ka shkruar Hoxha.

Nacionale ka mësuar se nesër pritet të thirret mbledhja e komisionit për Buxhet Punë dhe Transfere.

Lajme të ngjashme