“Koha jonë po vjen” – LDK zgjedh kryesinë e re, kush u largua e kush janë të rinjtë?
Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë ka mbajtur zgjedhjet e brendshme, ku kryetari i kësaj partie u zgjodh përsëri Lumir Abdixhiku. Javë më pas, LDK ka zgjedhur edhe kryesinë e partisë. Në Kryesinë e partisë, emrat të cilën ranë në sy ishin Doarsa Kica-Xhelili dhe Hykmete Bajrami, që të dyja morën pozitën si nënkryetare e partisë.
Kica-Xhelili në parti do të jetë si nënkryetare për Marrëdhënie me Jashtë, ndërsa Bajrami do të jetë nënkryetare për Politika Zhvillimore.
Në Listën e nënkryetarëve, do të jenë edhe Anton Quni, si nënkryetar për Mërgatë, Gazmend Muhaxheri, si nënkryetar për Organizim Partiak dhe Lutfi Haziri, si nënkryetar për Bashkëpunim Rajonal.
Tek sekretarët e partisë, Imri Ahmeti është po aty ku ka qenë si Sekretar i Përgjithshëm, mirëpo kësaj radhe është shtuar edhe Sokol Haliti, Sekretar i Degëve Jashtë.
Dy forume brenda LDK-së, mbetën pandryshuar sa i përket udhëheqësve të tyre. Jehona Lushaku-Sadriu, mbetet ende si kryetare e Forumit të Gruas edhe Paris Guri në krye të Forumit Rinor.
Ndërsa sa i përket anëtareve të kësaj partie, disa mbeten ku ishin, disa u shtuan dhe disa s’janë më, mirëpo numri i tyre është rritur nga 24 në 31.
Në këtë parti kanë mbetur si anëtarë te kryesisë Alban Zogaj, Arben Gashi, Ardian Shala, Armend Zemaj, Acdullah Hoti, Besa Gaxherri, Besian Mustafa, Dorentinë Maloku, Ekrem Hyseni, Ilir Ferati, Kujtim Shala, Muhamet Hamiti, Rrezarta Krasniqi, Sibel Halimi, Vlora Dumoshi dhe Xhafer Tahiri.
Ndërsa ata që u shtuan në këtë listë janë Alush Gashi, Behxhet Xheladini, Berat Rukiqi, Besnik Osmani, Driton Selmanaj, Ema Nikçiq-Rexha, Florian Dushi, Izet Sadiku, Lirije Kajtazi, Mirjeta Kalludra, Ruzhdi Shehu, Shkëmb Manaj, Visar Azemi, Visar Verisha, Xhafer Gashi.
Jashtë kësaj liste kanë mbetur edhe disa nga emrat që më parë ishin si Brikenda Kryeziu, Fadil Krasniqi, Hykmete Bajrami, Lutfi Zharku, Safet Kamberi dhe Valon Murtezaj.
Pas mbledhjes ka reaguar Abdixhiku, kreu i LDK-së, i cili është shprehur i bindur se kjo kryesi, me 16 doktorë shkencash, me 10 magjistra, me kryetarë komunash, deputetë e kryetar degësh, do të shërbejë drejtë dhe mbarë.
“Jam i bindur se kjo Kryesi, me 16 doktorë shkencash, me 10 magjistra, me kryetarë komunash, deputetë e kryetarë degësh, me veprimtarë të të gjitha gjeneratave, do të shërbejë drejtë, do të shërbejë mbarë, do të shërbejë djathtë, drejt fitores sonë të madhe. Në diskutimet tjera mbi tre orëshe në Këshill, vendosëm për ndarjen e përgjegjësive regjionale për secilin anëtar të Këshillit; sikurse dhe nisjen e hartimit të listës së kandidatëve për deputetë që nga tani. Do të jemi në terren, në çdo anë; do të jemi me qytetarët tanë në Kosovë e në mërgatë.” – ka shkruar Abdixhiku.
“Sepse koha jonë po vjen. Sepse ‘Rruga e re’ ka nevojë për secilin prej nesh.” – ka thënë ai.