“Kodra e Bebushit”- mbuluar me gjak, i mbijetuari i Masakrës së Reçakut rrëfen për ditët e ferrit të janarit 1999 - NACIONALE

“Kodra e Bebushit”- mbuluar me gjak, i mbijetuari i Masakrës së Reçakut rrëfen për ditët e ferrit të janarit 1999

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një fshat që pak kush ia dinte emrin më 15 dhjetor të vitit 1999 forcat paramilitare serbe vranë 45 civilë shqipëtarë. Ky krim mizor që ndodhi në Reçak do të ndryshonte përgjithmonë historinë e Kosovës.

Për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga serbët do të ishte kjo ditë pikë kthese që i gjithë spektri ndërkombëtare të informohej për gjenocidin që po zhvillohej në Kosovë në atë kohë.

Është Ramë Shabani, personi i cili 24 vjet më parë i shpëtoi vdekjes. Tmerrin që Rama e pa atë ditë, thotë se nuk do ta harrojë gjatë gjithë jetës.

Në një rrëfim për Nacionalen, 24 vjet pas, ai shpjegon për ditën më të rëndë të jetës së tij.

Duke hecur në vendin e njohur si “Kodra e Bebushit”, Rama tregon krejt çka pa në 15 janarin e vitit 1999.

“Qiknej përpjetë na kanë marrë. Edhe kur jemi dalë në këtu, kemi kujtu që kemi shpëtu. Qiky lugu është ai vendi ku shihen ata të vrarët. 30 qetu janë të vrarë. U kanë këtu nifar lugu, polici ka pasë në gjitha anët. Nuk kemi besu qe na e kanë zanë pritetn”, shpjegon për Nacionalen ky person.

Ai thotë se atë kohë e kishin thirrë misionin e OSBE-së në Kosovë që të shkonte në vendin e ngjarjes e ti dokumentonte faktet e një masakre të tmerrshme të kryer ndaj shqiptarëve.

“E kemi thirrë OSBE-n në mëngjes. Thanë në Ferizaj jem, tash vijmë. Këtu na kanë qitë veç me thanë që luftuan me terrorista. Se kanë mujtë me na vra edhe qatje naltë.”, rrëfen i mbijetuari i Masakrës së Reçakut.

Tutje ai tregon edhe një nga momentet dramatike se si i pa të masakruesit e 15 janarit të 1999-es.

“Pa zemër, pa kry. Në mbrëmje i kamë shikua krejt këta të vrarët,”- thotë ai.

Dështimi i madh: 24 vjet padrejtësi për Masakrën e Reçakut

Mëngjesi i 15 janarit të vitit 1999, ishte i kobshëm për 45 civilë në fshatin Reçak të Shtimes. Forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë. Pamjet e saj vërshuan mediat ndërkombëtare. Krimi i kryer mobilizoi botën për atë se çka po ndodhte në Kosovë. 24 vjet pas, drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e saj. Kriminelët janë të lirë, e ata pak të mbijetuar jetojnë mes tmerrit e dhimbjes.

Fillimisht UNMIK-u, pastaj EULEX-i, e tash edhe institucionet e drejtësisë vendore. Të gjitha e patën në dorë hetimin e masakrës së Reçakut. Hetim pati edhe nga Tribunali i Hagës gjithashtu. Megjithatë, pothuajse askush nuk është dënuar. Një i dyshuar serb ishte dënuar nga Tribunali për ish-Jugosllavi, ku Reçaku ishte vetëm një nga masakrat për të cilat akuzohej.

Megjithatë, ekskluzivisht për kryerjen e këtij krimi deri më tash, nuk dihet të jetë dënuar dikush. Kjo pavarësisht se një komandant serb edhe publikisht e kishte pranuar kryerjen e kësaj masakre. Fjala është për Goran Radoslaveviq, i njohur si Guri që ishte udhëheqës i Njësive Speciale të Serbisë. Megjithatë, ai deklaronte se janë vrarë vetëm ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Heshtja e Prokurorisë Speciale

Në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, funksionon një departament specifik që merret me trajtimin e krimeve të luftës. Prokurorët nga ky departament deri më tash, kanë intervistuar pothuajse të gjithë dëshmitarët e kësaj masakre. Megjithatë, një aktakuzë ende nuk ka, pavarësisht se ekziston Ligji për Gjykimin në Mungesë.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale tash e disa ditë. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Megjithatë, nga ky institucion ditë më parë kanë bërë të ditur për televizionin ATV se kanë lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për 18 persona. Sipas dyshimeve, këta persona fshihen në Serbi. Nga Prokuroria, kanë thënë se mosbashkëpunimi ndërmjet Kosovës e Serbisë, po e vështirëson punën.

Lajme të ngjashme