Koalicioni “Bashkë Fitojmë” regjistohet në zgjedhje në Shqipëri, përjashtohet partia e Sali Berishës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri e ka regjistruar koalicionin “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet lokale të 14 Majit, megjithatë nuk e ka pranuar Partinë Demokratike të Sali Berishës si pjesë të tij.
Sipas mediave shqiptare, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ka pranuar regjistrimin e koalicionit me vetëm tre partitë e tjera.
“Jemi përballë të njëjtës kërkesë si në zgjedhjet e 6 Marsit. Do regjistrojmë koalicionin “Bashkë fitojmë”, por me parti pjesëmarrëse vetëm me tre parti PL, PDK dhe PBDNJ. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe kundër tij bëhen ankimim në KAS,”- ka deklaruar Celibashi.
Bëhet e ditur se bazuar në vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, për zgjedhjet e 14 maji, Celibashi ka regjistruar Partinë Demokratike me nënkryetar Enkelejd Alibeajn.
