Partia e Sali Berishës në koalicion me tre parti të tjera për zgjedhjet e 14 majit - NACIONALE

Partia e Sali Berishës në koalicion me tre parti të tjera për zgjedhjet e 14 majit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“Bashkë Fitojmë” do të jetë emri i koalicionit të ri të formuar nga katër parti në Shqipëri, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 majit.

Mediat shqiptare raportojnë se mbrëmjen e së mërkurës opozita ka dorëzuar në KQZ kërkesën për koalicion në zgjedhjet e 14 majit, pjesë e së cilit do të jenë, Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Bëhet e ditur se drejtuese politike e koalicionit do të jetë Partia Demokratike, ndërsa udhëheqëse e koalicionit do të jetë Partia e Lirisë.

“Vendosëm: Të formojmë një koalicion opozitar dhe për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023. Emri i koalicionit është: “Bashkë Fitojmë”. Shkronjat nistore të Koalicionit do të jenë: “BF”. Drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga organet drejtuese të saj. Partia udhëheqëse e koalicionit, sipas parashikimeve të nenit 65 e vijues të Kodit Zgjedhor është Partia e Lirisë,”- thuhet në marrëveshje,raporton KlanNews.

Është bërë e ditur gjithashtu se në dokumentin e dorëzuar në KQZ është vendosur edhe sigla e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Sigla e koalicionit “Bashkë Fitojmë”

Në marrëveshjen për koalicion mes partive është autorizuar kreu i PL-së, Ilir Meta, ose i autorizuari prej tij, që të paraqesë në KQZ kandidatët për kryetarë bashkie, listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit.

Lajme të ngjashme