PD nuk duhet t’i dorëzojë “kokën në sini”, Berishës - NACIONALE

PD nuk duhet t’i dorëzojë “kokën në sini”, Berishës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Mero Baze

Komisioneri i Zgjedhjeve, hodhi poshtë për herë të dytë kërkesën e Partisë Demokratike për t’u regjistruar në zgjedhje, për shkak të mos pranimit të dorëheqjes së Lulzim Bashës dhe regjistrimin me drejtuesit e rinj, që janë në krye të PD prej një viti.

Vendimi është i bazuar qartazi tek vullneti politik i komisionerit, i shprehur dhe publikisht se legjitimiteti i PD i takon Sali Berishës. Pastaj vullnetin e tij ai e ka ilustruar me detaje proceduriale nga zhvillimet brenda PD. Kjo është taksa që duhet të paguajmë gjithnjë për lobimet politike që zgjedhin komisionerin e zgjedhjeve. Dhe Celibashi në këtë pikë i është mirënjohës Sali Berishës.

Tani ky nuk është më një debat ligjor, por politik. Shtigjet ligjore ku do të gjarpërojë kjo çështje mund ta lënë Partinë Demokratike jashtë zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Sali Berisha, i cili është i pashpresë të marrë vulën e PD, po përgatitet duke mbledhur firma të hyjë në koalicion me dy parti të veta. Pra përtej pretendimeve se është përfaqësues i PD, Berisha nuk ka turp ta konsiderojë teknikalitet faktin që nuk ka marrë vulën dhe po gjen zgjidhje për t’u futur në zgjedhje.

Të njëjtën gjë duhet të bëjë gati dhe Partia Demokratike. Unë uroj shumë që KAS apo Kolegji Zgjedhor ta hedhin poshtë vendimmarrjen politike të Celibashit, por kjo nuk mund të diktojë vullnetin politik të Partisë Demokratike.

Partia Demokratike duhet të demonstrojë që ka qëllim dhe objektiv të hyjë në zgjedhje dhe të konkurrojë. Dhe ky qëllim duhet të predominojë mbi gjithë kulisat për ta lënë atë jashtë zgjedhjeve.

Natyrisht që duhet ndëshkuar Celibashi, madje duhet kërkuar dhe shkarkimi i tij, por qëllimi i këtij procesi nuk është lufta me Celibashin, por beteja për t’u përfaqësuar në zgjedhje.

Vendosmëria e Lulzim Bashës për të mos e konsideruar veten kryetar i PD është legjitime, ashtu siç është legjitime kërkesa e Alibeajt që të konsiderohet kryetar i PD. Por kjo gjë nuk vlen si qëllim në vetvete. Nuk vlen për histori, nuk vlen për muzeun e PD. Ajo vlen vetëm nëse ata arrijnë të përfaqësojnë si të tillë PD në zgjedhje.

Nëse KQZ ua bën të mundur pjesëmarrjen në zgjedhje, bazuar mbi këtë status të pretenduar të tyre, ata duhet të zgjedhin nëse duhet të ruajnë gradat e tyre formale për të vënë në muzeun e PD, apo të ruajnë përfaqësimin e PD në zgjedhje dhe të hyjnë në zgjedhje.

Truket teknike me të cilat duan t’i lënë jashtë zgjedhjeve, eliminohen po me truke teknike, nëse ata kanë vullnet të marrin pjesë në zgjedhje. Mbi të gjitha, ata duhet të mos i dorëzojnë “kokën në sini” Celibashit, për t'ia servirur Berishës si trofe. Pas 14 majit, nuk vlen më asgjë, nëse nuk futen në betejë.\Gazeta Tema\

Lajme të ngjashme