Kica-Xhelili i reagon Kurtit: E dorëzuat Vetingun që të kapnit KPK-në e kryeprokurorin - NACIONALE

Kica-Xhelili i reagon Kurtit: E dorëzuat Vetingun që të kapnit KPK-në e kryeprokurorin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti rreth sistemit të drejtësisë dhe Vetingut.

Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se Qeveria nuk e ka të qartë se si funksionon drejtësia, dhe se sipas saj, “Qeveria s’e ka as për qëllim reformimin demokratik të saj”.

“Këtë po e them veçanërisht për dy arsye:

Arsya e parë: Procesi i Vetingut ka qenë nismë e kahmotshme politike që nuk u jetësua kurrë, e që thënë të vërtetën, as nuk u pat inicuar nga VV por Ldk, e u kapitalizua më pas si nismë e VV-së. Sot ka pak rëndësi kush e inicoi. Rëndësi ka kush e dështoi si ide fillestare, dhe përgjegjësia këtu bie mbi Qeverinë e sotme. Vetingu ka qenë (dhe vazhdon të jetë për aq sa ka kapacitet) një ndër prioritetet e mia profesionale politike. Përgjatë vitit të parë si deputete, kam insistuar me gjithë qenien (dhe për këtë kam dëshmi), që Vetingu të inicohej si reformë e parë, t’i ipej prioritet, e vetëm pas konfirmimit që i kemi forcuar themelet e fuqishme Vetingut, të vazhdohej me nismat tjera. Shkurt e shqip, ta vendosnim gurin para rërës.” – ka thënë ajo.

Në vend të kësaj, Kica-Xhelili deklaroi se Qeveria nisi tre reforma “paralele”.

“Çka bënë në vend të kësaj? Vendosën që t’i nisin tre reforma paralele: Ristrukturimin e Këshillit Prokurorial – të parin; Vetingun e Byronë më pas, gati në të njëjtën kohë. Që të trija, gati si kallëp, ja dërguan Komisionit të Venecias për shqyrtim.” – shkroi ajo.

Arsyeja e dytë, sipas Kica-Xhelilit është se me “amputimin” që iu bë Vettingut, është e vështirë që ky proces të quhet i tillë.

“Arsya e dytë: Me “amputimin” që iu bë Vetingut, sot është vështirë që ky proces të quhet më i tillë, sepse mashtron qytetarët në idenë që kur flasim sot për Veting, flasim për Vetingun e fjalëve të fushatës 2021. E vërteta është dhimbshëm tjetër. Vetingu sot nuk është as 5% i idesë fillestare. Vetingu për të cilin flasin sot nuk është gjithpërfshirës por do t’i përfshijë vetëm këshillat (rreth 30 veta), dhe nuk e analizon aspak performancën. PERFORMANCA RA!” – tha ajo.

Kështu, ajo tutje e ka pyetur kryeministrin se si mund të kthehen lëndët në rigjykim, duke e përmendur Vetingun si zgjidhje.

“Si, kryeministër? Si saktësisht, analizoma të lutem, vetimi i limituar te anëtarët e këshillave, do të ndikoj që lëndët të mos kthehen më njësoj në rigjykim? Si? Si do të guxojnë sipas jush, më pas, anëtarët e këshillave të ndërhyjnë në kapacitetin diskrecional të gjyqtarëve të apelit në vendosjen rreth kthimit në rigjykim apo vendosjes vet për ato lëndë? Si, kur performancën tanimë e eliminuat, pikërisht të atyre gjyqtarëve e prokurorëve? Dhe më besoni, dhimbja më e madhe përtej qytetarëve vlen për ata gjyqtarë e prokurorë të denjë që ju i nëpërkëmbni e që janë paguesit kryesor të mosbesimit në drejtësi për faj të kolegëve të tyre.” – pyeti ajo.

Deputetja tutje ka thënë se është në grupin punues për Vettingun dhe se janë duke u marrë me “mbetje të procesit”, pasi që po tentojnë të nxjerrin diçka nga “Asgjëja e mbetur”.

“A e ke idenë që e keni djegur këtë kartë aq keq sa nuk di nëse do të ishte e mundur ta digjnit aq keq edhe po ta planifikonit? Me çfarë të drejte sot përmend emra viktimash e emra kriminelësh kur PERSONALISHT dhe si GRUP, e dorëzuat Vetingun për hir të prioriteteve tjera që ju kishit? Që të kapnit vet KPK-në, e vet kryeprokurorin.” – shkroi ajo mes tjerash.

Në fund, Kica-Xhelili ka thënë se Vetingut ia kanë dorëzuar lakmisë për ta kapur drejtësinë dhe se nuk dallojnë nga individët e kaluar të pushtetit.

Lajme të ngjashme