KFOR dënon sulmet ndaj gazetarëve, përgjegjësinë për ruajtjen e tyre ia lë Policisë së Kosovës - NACIONALE

KFOR dënon sulmet ndaj gazetarëve, përgjegjësinë për ruajtjen e tyre ia lë Policisë së Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Misioni i NATO-s në Kosovës, KFOR ka dalë me një reagim pas situatës së krijuar dje në veri, ku të paktën nëntë gazetarë mbetën të lënduar, e madje disa prej tyre kërkuan edhe tretman mjekësor. KFOR, është sqaruar edhe për pamjet e publikuara dje, ku shihej duke nuk i ofruar ndihmë një gazetarit, duke thënë se Policia e Kosovës është përgjegjëse për sundimin e ligjit në të gjithë vendin.

Përmes një komunikate të publikuar në rrjete sociale, KFOR fillimisht ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve.

“KFOR dënon fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, derisa ata po kryenin punën e tyre. Liria e mediave dhe liria e shprehjes janë vlera fundamentale, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.” – thuhet në komunikatë.

Tutje, ky mision dha edhe një sqarim, duke u shprehur si vijon: “KFOR qëndron reargues i tretë, Policia e Kosovës është përgjegjëse për të siguruar sundimin e ligjin në të gjithë vendin”.

Sa i përket situatës së krijuar, KFOR ka bërë me dije se po qëndron në kontakt me të gjitha palët në këtë rast.

“Po ashtu, komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve të sigurisë në Kosovës, po ashtu përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, misionin e EULEX-it, OSBE-në dhe komunitetin diplomatik.” – u tha tutje.

Zhvillimet e fundit

Situata në veri dje ka qenë e tensionuar. Nëntë policë janë sulmuar nga persona të maskuar në veri, derisa po ndiqnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Disa prej gazetarëve, kërkuan ndihmë mjekësore, derisa rasti u dënua edhe nga krerët më të lartë të shtetit si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe e pajustifikuar. Ne u bëjmë thirrje atyre që udhëheqin protestat të parandalojnë dhe dënojnë dhunën ndaj atyre që punojnë për të raportuar mbi ngjarjet.” – thuhej në një reagim të Ambasadës Britanike.

Ndërkohë, kryeministri Kurti u shpreh si vijon: “Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve”.

Sa i përket “rrëmbimit” të tre policëve kosovarë nga Policia e Serbisë, vlen të theksohet se përderisa ShBA-ja e Britania e Madhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre policëve, KFOR-i në anën tjetër, ka thënë se mbesin ende të paqarta rrethanat e këtij rasti.

"Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit.” – thuhej në komunikatën e KFOR-it për media.

Në komunikatën e KFOR-it, gjithashtu theksohet se të dyja palët duhet të respektojnë përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, përfshirë policinë kufitare.

“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës - përfshirë policinë kufitare - dhe KFOR-it. - thuhej aty.

Lajme të ngjashme