Kërkesa për Osmanin, presidenca rikujton se u ka ofruar partive politike mundësinë për takime
Për të gjashtën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, derisa seanca sërish është shtyrë për 48 orë, që i bie të dielën.
Partitë opozitare kanë refuzuar ta votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare duke e cilësuar si një figurë jounifikuese, derisa Vetëvendosja s’i ka numrat e nevojshëm.
Kështu, Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që t’i thërrasë në një takim liderët e partive politike.
“Në këtë kontekst, KDI beson se është koha që Presidentja e vendit të thërrasë një takim me liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar zgjidhje të mundshme. Kushtetuta e ngarkon atë me detyrën për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe në një situatë si kjo – ku institucioni më i lartë përfaqësues është i bllokuar – angazhimi i saj politik dhe institucional është i justifikuar por edhe i domosdoshëm” – thuhej në një komunikatë.
Në një deklaratë dhënë Nacionales, Bekim Kupina, këshilltar për media në presidencë, ka theksuar se presidentja Osmani veçse e ka ofruar këtë mundësi, nëse ka nevojë.
“Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme” – ka thënë ai.