Kërcënimi me KFOR: Çfarë thoshte Kurti herën e parë kur përmendej kjo gjë? - NACIONALE

Kërcënimi me KFOR: Çfarë thoshte Kurti herën e parë kur përmendej kjo gjë?

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Opinioni i shkruar nga bordi editorial i mediumit të afërt amerikan me demokratët, “Bloomberg”, e më pas i cituar edhe nga prestigjiozja, “Washington Post”, përmban disa paragrafe goditëse për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Mes tjerash, përmendet edhe se trupat e NATO-s nuk do të qëndrojnë përjetësisht në Kosovë. Me diçka të ngjajshme, shefi i Qeverisë ishte përballur edhe më parë, por si kishte reaguar atëherë?

Asnjë reagim nuk është parë ende nga pushteti për opinionin e publikuar nga dy media të mëdha amerikane, të afërta me demokratët që aktualisht udhëheqin administratën amerikane.

Mundësia e tërheqjes së trupave amerikane ishte diskutuar edhe një herë tjetër, dhe Kurti, e kishte komentuar.

Hera e parë

Ishte marsi i vitit 2020 kur dy senatorë amerikanë, të përkrahur nga Donald Trump Junior, djali i presidentit të atëhershëm, Donald Trump, kërkonin që rreth 650 trupa amerikanë që janë të vendosura në Kosovë, të kthehen në ShBA.

“Pajtohem. Janë 650 trupa amerikane në Kosovë. Koha për t’i kthyer në shtëpi.” – kishte thënë Trump Jr. në një deklaratë që do të komentohej mjaft shumë në Kosovë.

Kurti, atë kohë kishte komentuar një deklaratë të tillë, duke e quajtur këtë “dëshirë të djalit të presidentit amerikan”.

Këto “kërcënime”, erdhën pas refuzimit për largimin e tarifës 100 për qind për produktet serbe, dhe Kurti deklaronte se nëse tërheqja ndodhë, atëherë nuk ka lidhje me këtë.

“Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova. Përkundrazi, dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një si dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet edhe vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri.”ishte deklaruar Kurti në një tubim në Podujevë.

Hera e dytë

Nuk dihet nëse Kurti e ka lexuar opinionin ku ai goditet nga bordi editorial i “Bloomberg”, por deklaratat aty, janë tepër të qarta.

Mes tjerash, në këtë opinion u bëhet thirrje diplomatëve perëndimorë që t’i bëjnë presion Kurtit që t’i pezullojë politikat, që janë parë si provokuese nga komuniteti serb në Kosovë.

“Parandalimi i një të tillë do të kërkojë rritjen e angazhimit në rajon dhe mbështetjen te të gjitha palët për të rifilluar dialogun. Diplomatët perëndimorë duhet t'i bëjnë presion Kurtit që të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe e Kosovës, për sa kohë që serbët të ndalojnë sulmet e policisë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë. BE-ja duhet të përjashtojë avancimin e kërkesës së Serbisë për anëtarësim në bashkim derisa Beogradi të angazhohet për një afat kohor për njohjen e sovranitetit të Kosovës.” – thuhej në këtë shkrim.

Ajo që ishte qartazi edhe më e ashpër, dukej të jetë një kërkesë që i është bërë ShBA-së në këtë shkrim, ku thuhej se “gatishmëria e NATO-së për të mbajtur forcat e saj në terren (të Kosovës) nuk është e pacaktuar”.

Madje, thuhej se kjo mbështetje “duhet të kushtëzohet” me marrëdhënien e Qeverisë me komunitete serbe.

“Nga ana e saj, SHBA duhet t'u bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e përjetshme. Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që u jep komuniteteve serbe një vetëqeverisje më të madhe.” – shkruan mes tjerash.

Opinioni i plotë:

Lajme të ngjashme