Kërcënimi i Milanit e reagimi i Amerikës – Krejt ka ndodhi mbrëmë pasi përfundoi votimi në veri
Pak më shumë se 1 mijë e 500 votues ishin pjesëmarrës në zgjedhjet e ditës së djeshme në katër komunat veriore. Dalja në total kthyer në përqindje ishte përafërsisht 3%.
Mitrovica e Veriut e Leposaviqi u fituan nga Vetëvendosja, kurse Zubin Potoku e Zveçani nga Partia Demokratike e Kosovës.
Fakti që Lista Serbe nuk mori pjesë në këto zgjedhje dhe thirrjet e kësaj partie për bojkot, bëri që serbët e veriut të mos i përgjigjen pothuajse fare këtij procesi zgjedhor.
Madje njëri nga liderët e këtij subjekti politik, por me të kaluar shumë të dyshimtë, Milan Radojiçiq, dje dha edhe një deklaratë me tone kërcënuese. Ai tha se populli serb nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të udhëhiqen nga shqiptarët.
Sipas tij, “serbët nuk do të lejojnë të udhëhiqen nga ata që mendojnë se me një apo dy për qind të votave mund të udhëheqin në veri”.
“Atyre që mendojnë se me një apo dy për qind të votave mund t’i udhëheqin komunat në veri, më duhet t’u them se populli serb kurrë nuk do t’ua lejojë këtë”, tha Radojiçiq.
“Shpresoj se të gjithë e kanë kuptuar mesazhin e qartë që e ka dërguar sot populli serb nga veriu i Kosovës e Metohisë. Rroftë Serbia!” – ka thënë Radoiçiq.
Deklarata të ngjashme me reagime të ashpra kundër zgjedhjeve që Kosova organizoi në veri, ka pasur shumë gjatë ditës së djeshme.
Reagimi i Amerikës
SHBA-ja ka thënë se zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës si dhe për asamble komunale në dy komuna në veri, janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetutuese dhe ligjore të Kosovës.
Nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë është thënë se përkrahin “një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë”.
“Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës të cilës i shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërisë demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhore të Kosovës për t’i vënë në dispozicion vendvotimet për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Po ashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizimin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX) dhe KFOR-it për sigurimin e një mjedisi të sigurtë për zgjedhjet”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ndërkohë nga Ambasada është thënë se do të angazhohen me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm.
“Ne gjithashtu theksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në reagim.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka theksuar se këto zgjedhje të mbajtura këtë të dielë, në katër komunat veriore nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike, kjo për faktin e pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në zgjedhje.
Ambasadori gjithashtu ka shkruar se i vjen keq që disa parti e bojkotuan procesin. Në fund Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës, EULEX-in e KFOR-in për profesionalizmin e treguar, duke theksuar se është koha të respektohet marrëveshja e Ohrit.
Në anën tjetër, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është shprehur i bindur se kryetarët e rinjë nuk do të kenë probleme lidhur me sigurinë që të ushtrojnë detyrat e tyre.


