"Kërcënimi ekziston": Pasojat ekonomike nga paralajmërimet për përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit - NACIONALE

"Kërcënimi ekziston": Pasojat ekonomike nga paralajmërimet për përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Gjermania e ka paralajmëruar Kosovën se rrezikohet nga largimi prej marrëveshjeve rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit si pasojë e mospranimit të kompromisit për shfuqizimin e masës për produktet serbe. Ky paralajmërim është i rrezikshëm dhe largimi i Kosovës nga Procesi i Berlinit, sipas njohësve të fushës së ekonomisë, mund të sjellë pasoja të pariparueshme në ekonominë e vendit.

Qeveria e Kosovës është paralajmëruar se rrezikohet me largim nga marrëveshjet rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit.

Një paralajmërim të frikshëm bëri edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se ekziston kërcinimi për largimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit, që kryeministri Albin Kurti e preferon si nismë rajonale më shumë se të tjerat.

“Ky mua më duket dallim shumë i vogël, që nuk do të duhej të rezultonte me përjashtimin e Kosovës siç është Procesi i Berlinit. Kërcënimi ekziston, duhet kushdo që negocion në emër të Republikës, me insisitu me propozime të reja”- ka thënë presidentja Osmani në një intervistë për Kallxo.com.

Cilat mund të jenë pasojat nga largimi prej Procesit të Berlinit?

Ndërkohë, profesori i ekonomisë, Bashkim Mustafa, ka thënë se opsioni i ofruar nga Gjermania duhet të shqyrtohet si një mundësi që Kosova të jetë pjesë e tregut evropian.

“Qëllimi i CEFTA-së, si një mekanizëm i tregtisë ndërkombëtare, është i drejtë, por zbatimi në praktikë ka hasur në pengesa të vazhdueshme mes vendeve anëtare dhe ky moszbatim kryesisht është shkaktuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në raport me mallrat e Kosovës” - tha ai.

“Iniciativat për tregti të lirë dhe qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve gjithnjë janë të mirëseardhura. Këto duhet të përkrahen, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrencën e lirë të tregut si mekanizëm për rregullimin e çmimeve dhe cilësisë së produkteve dhe shërbimeve. Kjo do të ndikojë në uljen e çmimeve dhe uljen e kostos së jetesës për konsumatorët. Informacionet rreth propozimit të Gjermanisë për largimin e vendimit të ndalimit të hyrjes së një pjese të produkteve nga Serbia në Kosovë, sigurisht që duhet shqyrtuar si opsion që do të ndikojë pozitivisht në integrimin e mëtejshëm, që gjithashtu është qëllimi i Kosovës për të qenë pjesë e tregut evropian” – shtoi Mustafa.

Më tej, ai ka thënë se nëse Kosova largohet nga marrëveshjet rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit, kjo masë mund të prodhojnë pasoja të pariparueshme në ekonomi.

“Sa i përket largimit nga Procesi i Berlinit, kjo do të kishte pasoja të papariparueshme për ekonominë e Kosovës. Do të ndikonte drejtpërdrejt dhe indirekt te prodhuesit vendorë, te bizneset që janë duke eksportuar mallra dhe shërbime, do ta çrregullonte tregun vendor, do të krijonte vështirësi ekonomike dhe financiare si dhe do të rritej kostoja e jetesës” – ka thënë ai.

Gjithashtu, edhe Oda Ekonomike Amerikane ka bërë thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës që të të përmbahet nga masat që e përjashtojnë Kosovën nga nismat rajonale.

“Duke e përsëritur thirrjen e saj ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës për shfuqizim të masës që pengon lëvizjen e lirë të mallrave nga shtetet anëtare të marrëveshjes CEFTA, Oda Amerikane thekson se një masë e tillë rrezikon jo vetëm të arriturat e shënuara përgjatë viteve, por kërcënon prospektet e ardhshme të Kosovës, të cilat do të rezultonin nga bashkëpunimi ekonomik.” – thuhet në reagimin e tyre.

Oda Ekonomike Amerikane paralajmëron se qasja aktuale mund të çojë në izolim ekonomik e politik, “do të sillte pasoja të paparashikueshme për Kosovën, rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve, aq më tepër që paralajmërimet e tilla nuk duhet të shihen si retorikë boshe, meqë tashmë Kosova është duke u ballafaquar me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, të cilat rezultojnë në mundësi të humbura të zhvillimit ekonomik dhe përparimit social.

Kompromisi gjerman

Gjermania, përmes emisarit të saj për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka propozuar që Kosova t'i largojë masat e sigurisë për mallrat serbe që Kosova të përfitojë ndryshim të statutit të përfaqësimit në CEFTA.

Aktualisht Kosova në CEFTA përfaqësohet si UNMIK.

Sarrzini gjatë një interviste në KTV javën e kaluar tha se Gjermania do t’i shtyjë përpara marrëveshjet e Procesit të Berlinit edhe pa Kosovën.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka thënë se masat nuk kanë të bëjnë me tregtinë por janë vendosur për shkak të sigurisë.

Kosova është shteti më proaktiv në Procesin e Berlinit dhe Kryeministri Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejmë të rajonit” – ka thënë këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj.

Lajme të ngjashme