“Këngët e dylberave”: A është i mbushur me homoseksualizëm folklori shqiptar?
Folklori shqiptar është i mbushur plot me këngë të ndryshme, të cilat shpërfaqin botëkuptimet e shoqërisë dhe dokumentojnë të kaluarën kulturore e historike të Kosovës. Por këngët e dylberit janë krijimet artistike që ngjallin më së shumti debat, por edhe kureshtje për kritikët e folklorit. Për shkak të përmbajtjes së tyre, ato krijojnë përshtypjen se janë këngë me ngjyrime të homoseksualizmit pasi që aty i deklarohet dashuria seksit të njëjtë.
Një interpretim i tillë mbi e rreth këngëve të dylberit është i gjithëpranueshëm. Së fundmi, Blerim Latifi, profesor universitar i filozofisë, e solli në vëmendje këtë çështje duke theksuar historikun e ‘dekriminalizimit të homoseksualitetit’ në Perandorinë Osmane. I njëjti, madje ndau në profilin e tij në Faceebok një këngë të dylberave:
“Kalldrëmit po m'shkon si shah,
Ma ke çitë qyrkun mbi krah.
Aman çun pashë perendinë,
Falmja bacës nji sabah!”
Por, të tilla vargje ku përmenden ‘dylberat’, ‘ashikat’, ‘jaranat’, ‘çuni’, “dosti”, etj., janë të shumta në folklorin shqiptar.
“Ditën e xhumasë, more lalë,
Kesh tuj marrë abdes,
Çunin e kam smutë, more lalë,
Tutna, mos po m’ des!”
Nisur nga ky kuptim i dylberit janë ndërtuar edhe rrjete të ndryshme si “Dylberizëm”, e cila është platformë për informimin dhe edukimin queer në gjuhën shqipe. Njëkohësisht, duhet shquar këngët e dylberave nga eposi i këngëve erotike shqiptare pasi që këto dy rryma të folklorit dallojnë si për nga përmbajtja ashtu edhe nga metaforat e përdorura. Por ç’kuptim ka fjala dylber?
Etimologjia e dylberit
Sami Frashëri, rilindasi dhe studiuesi i gjuhëve, në fjalorin e parë modern të osmanishtes të titulluar “Kamus-ı Türki”, i cili edhe sot vazhdon të jetë një ndër referencat kryesore linguistike në Turqi, ka shkruar rreth kuptimit të fjalës dylber. Si njohës i persishtes, turqishtes e historisë islame, Frashëri sqaronte kuptimin e fjalës ‘dylber’, i cili në gjuhën origjinale sufiste hyri si dilber, duke e ndarë në dysh për nevoja shpjeguese, shkruan Gazeta Nacionale.
Me prejardhje nga persishtja, termi dil nënkupton zemër, ndërsa ‘ber’ do të thotë ai, ajo apo diçka që rrëmben. E kur bashkohet fjala ‘dilber’, atëherë ka ngarkesën kuptimore si “...ai/ajo që tërheq zemrat. E dashura, e dashuruara”.
Meqenëse si persishtja ashtu edhe gjuha turke, në vetën e tretë nuk kanë gjini, atëherë termi dilber – sikurse edhe termet tjera si ashik, çun, dost etj. – përdoren në të njëjtën trajtë për të dy sekset.
Këngë homoseksualësh apo traditë sufiste?
Studimet mbi këngët e dylberave e posaçërisht kuptimet dhe metaforat e përdorura në tekste, nuk kanë munguar në Kosovë.
Sipas Krenar Dolit, studiues në degën e Folklorit në Institutin Albanologjik në Prishtinë, i tha Nacionales se shfaqja e dashurisë ndaj identitetit mashkullor në këngët e dylberave lidhet me idetë e sufizmit dhe se vargjet transmetojnë dashuri ideale, platonike.
Në këtë kuptim, Doli sqaron se aty i këndohet bukurisë sipas botëkuptimit dhe estetikës së letërsisë së divanit, e cila është bukuri abstrakte, ideale, hyjnore dhe nëpërmjet simboleve specifike pasqyrohet dashuria ndaj Zotit, profetit apo udhëheqësve shpirtëror.
Një përqasje e tillë shprehet nëpërmjet figurës së Jusufit, i cili tek fetë abrahamike njihet si i dërguar, ndërsa në letërsinë sufiste edhe si personifikim i së bukurës.
“Që të jemi më bindës e më argumentues në këtë pikëpamje si model po marrim këngët e Jusuf Myzyrit (1881-1956), i cili i përkiste tarikatit Bektashi, nga ku shumë këngë pa të drejtë janë “klasifikuar” si këngë dylberash e ku në të vërtetë ato këngë Isuf Myzyri i krijonte dhe i këndonte për udhëheqësin e tij shpirtëror, duke iu referuar edhe fjalës “dylber” që në gjuhën perse do të thotë “zemër rrëmbyes” apo ai që fiton zemrën me sjelljen e tij”, tha Doli për Nacionale.
Në strukturën letrare të divanit, e cila brumosej nga sufizmi, sipas Dolit termi dylber nuk ka të bëjë me dashurinë fizike. Madje ai ofron një interpretim interesant se pse në këngët e dylberave mbi-sundon figura e burrit.
“Siç është thënë tashmë, në kuadrin e mësipërm, bukuria konkretizohet në mënyrën më të përkryer në fytyrën njerëzore dhe simboli i bukurisë së fytyrës ishte Hazreti Jusufi. Ekzistenca e këtij fenomeni të depërtimit të këtyre këngëve në aheng, mund të lidhet edhe me fanatizmin e egër të shoqërisë së kohës. Nxjerrja e një kënge për një vajzë apo edhe për një grua ishte e pamundur pasi një gjë e tillë do të shlyhej “me gjak”. Prandaj, për t’i ikur tragjedive, krijuesit merrnin si shembull fytyrën e një djali”, tha Doli.
Pak më ndryshe mendon Fitim Veliu, studiues i folklorit, i cili thotë se këngët popullore për dylberin kanë trajtuar ndjenjën e përjetimit seksual ndaj gjinisë së njëjtë. Kjo, sipas Veliut, është përjetuar si diçka normale e reale, “mirëpo e paidentifikuar si gjendje statusore, pra diçka që ka ekzistuar në nivelin e naivitetit subjektiv”.
“Në kuptimin elementar, dylberi është personi antipod i ashikut, pra i dashuri, kurse në kuptimin metaforik, dylberi del si funksion estetik deri në nivelin e bukurisë mitike, “i bukur si dylberi”, tha Veliu për Nacionale.
Tutje profesori universitar shtoi se këngët me premisa homoseksualiteti kanë ekzistuar në folklorin shqiptar, ndonëse hapësira e tyre ka qenë mjaft e zbehtë edhe në institucionet ku është diskutuar për trashëgiminë folklorike të Kosovës.
“Këto këngë kanë një lashtësi të ekzistencës, janë krijuar e kultivuar ndër breza, por variantet e tyre janë bartur më shumë si traditë e metodës së oralitetit dhe afishimit të ndjenjës mes protagonistëve të ngjarjes. Fryma e kësaj tematike bart një ngarkesë të rëndë etiko-morale, ndaj edhe është përjashtuar e tkurrur deri në fshirje të shenjave, për shak se shqiptarët kanë jetuar me kodin e madh etik, etnik e fetar, një trinom që kurrë nuk e pranon një ç’rëndomtësim të tillë”, tha Veliu.
Prapavija metafizike
Sipas sociologut të religjionit, Abdylnëntor Musliu, meqenëse këngët e dylberave kanë prapavijë metafizike sufiste, ato duhet të studiohen përbrenda koruposit të mistikës islame. Ndryshe, sqaron Musliu, kjo letërsi nuk mund të kuptohet drejt pa e pasur parasysh ‘artin, kulturën dhe letërsinë islame dhe osmane’.
Sipas tij dashuria është pjesë qendrore e poezisë sufiste, por shprehjet e përdorura aty, ani pse mund të japin përshtypjen e dedikimit ndaj gruas apo burrit, “në realitet ajo mund të jetë një poezi për dashurinë ndaj dervishit, Zotit, Pejgamberit etj.”
“Shembulli i më i mirë është Rumi, poezitë e të cilit nga vargje të dashurisë ndaj Zotit, duke u zhveshur nga ky sfond metafizik janë shndërruar në bestseller gjithandej”, thotë Musliu për Nacionale.
Sociolugu uron që debatet e fundit të shërbejnë si pikënisje për studim dhe vlerësim të poezisë së dylberave, e cila sipas tij deri më tani është neglizhuar e madje edhe sulmuar.
“Një gjë e çuditshme gjatë diskutimeve të fundit është se ata të cilët theksojnë burimet e seksualitetit në traditën dhe folklorin shqiptar si një diçka normale e reale, janë po ata të cilët e sulmojnë atë traditë e folklor si patriarkal, shtypës, fanatik, të prapambetur etj. Pra, në një mjedis kaq të zymtë e të vrazhdë na paska lulëzuar një jetesë kaq e lirë! Ky është një lexim selektiv e tendencioz që nuk i hyn mundit të një studimi serioz e sistematik të traditës e folklorit shqiptar”, komenton Musliu.
Diskutimet e fundit mbi këngët e dylberave dhe traditën folklorike të supozuar homoseksuale buruan nga debatet në Kuvend mbi projekt kodin civil që afirmonte bashkësitë civile të regjistruara të seksit të njëjtë. Kujtojmë që debat mbi këtë çështje u përshkrua me përplasje të mëdha rreth martesave të seksit të njëjtë.