'Kënaqësia' e Vuçiqit në CNN - NACIONALE

'Kënaqësia' e Vuçiqit në CNN

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u paraqit mbrëmë në CNN për të thënë fjalën e tij. Paraqitja e tij ishte në kontrast me ‘rënkimet’ e zakonshme të tij, ku dukej se donte të fitonte simpatinë e komunitetit ndërkombëtar. Dje qeshte. Pse?

Presidenti serb njihet për paraqitjet e tij teatrale ku viktimizohet vazhdimisht përkundër politikës së tij agresive, në veçanti në raport me Kosovën.

Por, mbrëmë ai nuk përdori hiletë e zakonshme. Mbrëmë, në CNN ai ishte më i relaksuar dhe shprehu edhe kënaqësi në lidhje me reagimet e komunitetit ndërkombëtar.

Kënaqësia

Ai qeshi në momentin kur gazetarja i tha se “nuk i kishte dalë kurrë nga goja e saj” që ai ishte nxitur nga Putini për të pushtuar shtete e entitete.

Vuçiqi – si rrallëherë – u shpreh i kënaqur në lidhje me reagimet e komunitetit ndërkombëtar kundër Kosovës për tensionet në veri që nisën të premten, më 26 janar.

“Ne jemi shumë të kënaqur me deklaratat e fundit të bëra nga Sekretari Blinken. Ne besojmë që ishte deklaratë e saktë edhe nga Macroni. Ata i kanë thënë gjërat në një mënyrë që është shumë përmbajtësore.” - tha presidenti serb.

Nëse s’e mbani mend, Blinkeni kishte thënë madje se veprimet e Qeverisë Kurti do të kishin pasoja në raportet mes Amerikës dhe Kosovës. Dhe, ndëshkimet nisën me anulimin e Defender 23’.

Deklaratat e Blinkenit i kishte quajtur “shumë naive” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Thirrje

Natyrisht, presidenti serb Vuçiq nuk mund ta linte thjesht me shprehje të kënaqësisë. Ai pati edhe thirrje që komuniteti ndërkombëtar të vepronte edhe më me vendosmëri kundër kryeministrit Kurti.

“...i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrin veprime të vendosura ndaj atyre që janë kokëfortë dhe që në fakt po eskalojnë situatën në terren dhe që po e vënë në rrezik paqen dhe stabilitetin e të gjithë neve, krejt Evropës.” – tha ai.

A do ta njihni Kosovën?

I pyetur nëse do ta njihte Kosovën nga gazetarja e CNN, z. Vuçiq përmendi planin franko-gjrman dhe se si kjo çështje tashmë as nuk ishte në diskutim.

“(Njohja) Nuk është më as pyetje sepse nëse e keni vënë re se për çfarë po flisnim përmes planit franko-gjerman, se për çfarë po flisnim në Ohër. (Çështja është) për normalizimin. Është procesi i normalizimit. Ky është parakushti për progresin e Serbisë.” – tha ai.

Thirrja protestuesve

Ai iu bëri thirrje protestuesve serbë që të ishin paqësor, natyrisht duke dashur t’i dilte kundër shumë analistëve që thonë se Serbia qëndron prapa bandave kriminale.

“Nuk kam asnjë formë të kontrollit, por unë besoj që shumica e atyre njerëzve gjithmonë do të shfaqin respekt për shtetin e Serbisë. Dhe ajo se çfarë ne mund të bëjmë me partnerët tanë – prej Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara e krejt të tjerëve – është nevoja për të pasur rajon stabil.” - tha ai.

Edhe sot ka pasur protestues në komunat veriore me shumicë serbe, por situata ishte dukshëm më e qetë se sa të hënën.

Lajme të ngjashme