"Kemi kërkuar ndërmarrjen e hapave të duhur": Maqedonci del me qarim për shërbimin e ushqimit në FSK - NACIONALE

"Kemi kërkuar ndërmarrjen e hapave të duhur": Maqedonci del me qarim për shërbimin e ushqimit në FSK

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në përgjigje të shqetësimeve në rritje lidhur me shërbimet e furnizimit me ushqim për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka lëshuar një deklaratë sqaruese ndërsa ka përmendur hapat që po ndërmerren për zgjidhjen e problemit.

Ministri Maqedonci pranoi problemet në shërbimin e ushqimit në kazermat e FSK-së, por ato ia atribuoi sfidave ligjore dhe kontraktuale që kanë ekzistuar që nga themelimi i FSK-së në vitin 2009, duke përmendur vonesat e përsëritura në proceset e prokurimit dhe mosmarrëveshjet e shpeshta nga operatorët ekonomikë.

Sipas Maqedoncit, që nga viti 2015 janë lidhur 10 kontrata të tilla, duke krijuar një ndikim negativ në efikasitetin operacional të FSK-së dhe imazhin publik.

"Që nga themelimi i FSK-së në vitin 2009, pothuajse çdo herë pas përfundimit të kontratave trevjeçare, si rezultat i ankesave nga operatorët ekonomikë të cilat janë adresuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, janë zhvilluar procedurat për lidhjen e kontratave emergjente. Vetëm nga viti 2015 e deri më tani janë dhënë 10 kontrata sipas procedurave ekstrem emergjente. Këto çështje kanë krijuar situata të jo të mira dhe probleme të vazhdueshme, duke rrezikuar integritetin e proceseve dhe që si rezultat kanë ndikuar në dëmtimin e imazhit publik të FSK-së dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj." - tha ai ndër të tjera

Ai tha se bashkë me komandantin e FSK-së kanë ndërmarrë hapa duke kërkuar që Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e FSK-së të zbatojnë masat e nevojshme për stabilizimin e furnizimit me ushqime dhe përmirësimin e shërbimit për personelin e FSK-së.

"Për të adresuar këto sfida të përsëritura, unë, së bashku me Komandantin e FSK-së, kemi kërkuar që strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës të ndërmarrin hapat e duhur dhe të nevojshëm për të zgjidhur sfidat lidhur me furnizimin dhe shërbimin ushqimor për personelin e FSK-së. Përmes këtyre veprimeve, synojmë të minimizojmë ndikimet negative në furnizim dhe shërbim, duke garantuar që situata të tilla të mos prekin më efektivitetin e përgjithshëm dhe performancën operacionale të personelit të FSK-së" - shtoi ministri.

Maqedonci premtoi se do të zbatohen "me përpikëri të gjitha procedurat ligjore të prokurimit për furnizimin me ushqim në kazermat e FSK-së."

"Jemi të vetëdijshëm se aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi kërkojnë afate të caktuara kohore për procesin e rekrutimit të personelit profesional për kuzhinat e FSK-së. Megjithatë, do të zbatojmë me përpikëri të gjitha procedurat ligjore të prokurimit për furnizimin me ushqim në kazermat e FSK-së. Pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që e kemi bërë me datën 10 tetor, do të vazhdojmë të ndjekim hapat e nevojshëm për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses deri në finalizimin e plotë të rekrutimit të personelit civil të specializuar, i cili do të integrohet në kuadër të FSK-së." - tha ai.

Lajme të ngjashme