KDI thirrje VV-së: Seanca konstituive duhet të përmbyllet më së voni deri nesër - NACIONALE

KDI thirrje VV-së: Seanca konstituive duhet të përmbyllet më së voni deri nesër

1 orë më parë

nga NACIONALE

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej në seancën e së enjtes, ndonëse ajo u mbajt pasi ishin konsumuar 29 nga 30 ditët e afatit kushtetues për përfundimin e këtij procesi.

Sipas KDI-së, mosushtrimi i së drejtës kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik me numrin më të madh të deputetëve, për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, pamundësoi vazhdimin e procedurës së konstituimit dhe çoi në ndërprerjen e seancës.

“Ndërprerja e sotme e seancës, përderisa afati kushtetues ende nuk ka përfunduar, nuk përbën në vetvete shkelje të afatit apo procedurave të parapara me Rregullore. Megjithatë, në përputhje me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, rikujtojmë që seanca konstituive duhet të përmbyllet më së voni deri nesër, duke përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

KDI mirëpret çdo përpjekje serioze për dialog dhe arritjen e marrëveshjeve politike ndërmjet subjekteve parlamentare. Megjithatë, nevoja për konsultime apo negociata politike nuk e pezullon detyrimin kushtetues për përmbylljen e seancës konstituive brenda afatit të përcaktuar. Dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por duhet të zhvillohen paralelisht”, thuhet në reagim.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje qëtë ushtrojë pa vonesë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Prandaj, KDI i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti politik me numrin më të madh të deputetëve, që ta ushtrojë pa vonesë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për ta propozuar kandidaturën për Kryetar të Kuvendit. Pas paraqitjes së kandidaturës, të gjithë deputetët kanë përgjegjësi të marrin pjesë në procedurën e votimit dhe të kontribuojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit”.

Lajme të ngjashme