Katër teneqetë e propagandës
Mu në ditën kur filloi zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë, tre ministra teknikë të Kurtit kanë bërë ekzibicionin e radhës. Teneqetë me mbishkrime cirilike të ‘Železnice Srbije’ janë zëvendësuar me aso të Republikës së Kosovës dhe ndërmarrjes ‘Infrakos’. Megjithatë, tabloja e vërtetë nuk del ashtu siç e narrativizuan ministrat e Kurtit, demek si marrje nën kontroll e aseteve hekurudhore. Gjatë qeverisjes së Kurtit, madje edhe më 2024, zyrtarë të lartë të hekurudhave të Serbisë vizituan pa therrë në këmbë stacionet hekurudhore në veri. Për më tepër, Qeveria e Kurtit për 5 vjet gati e ka vënë para dështimit Projektin për Rehabilitimin e Vijës Hekurudhore 10 Leshak-Hani i Elezit. Tre ministra të Kurtit, Hekuran Murati, Liburn Aliu dhe Artane Rizvanolli, kanë qenë ndër përgjegjësit pse projekti në fjalë nuk ka ymyt të bëhet as më 2027.
Col Mehmeti
28 maj 2026 – Tre ministra në detyrë të Qeverisë së Kosovës të enjten e kanë pasur një alamet pune para vete.
Në vend të dhjetëra policëve që kanë qenë të angazhuar në terren, ministrat teknikë të Kurtit e kanë shijuar të qenit ‘heronj’ të ditës.
Teneqeja me mbishkrim çirilik e stacionit hekurudhor në Zveçan u zëvendësua me një të re.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ai i Infrastrukturës, Dimal Basha, e kanë quajtur këtë veprim si kthim të kontrollit institucional të Kosovës në sistemin hekurudhor në pjesën veriore.
Kjo gjë është vazhduar gjatë ditës edhe në pika të tjera stacionesh në veri, si ai në Leposaviq, Sllatinë dhe Leshak.

Nëpërmjet një afishimi për media, ndërmarrja publike ‘Infrakos’ e ka quajtur një veprim të tillë si marrje në menaxhim të plotë të aseteve të saj në veri.
Sipas kësaj ndërmarrje që menaxhon infrastrukturën hekurudhore në vend, tani janë nën kontroll të gjitha objektet dhe pronat e saj, që ishin të uzurpuara deri më sot nga strukturat paralele serbe.
“Sot janë vendosur shenjat dhe tabelat në stacionet në Zveçan, Leposaviq, Leshak dhe në stacionin në Sllatinë”, është thënë në njoftimin e INFRAKOS-it.
“Me këtë akt, Infrakos SH.A. përshpejton procesin për realizimin e projektit detal dhe funksionalizimin e plotë të hekurudhës në këtë zonë. Ky segment është pjesë e Korridorit X hekurudhor, i cili kalon përmes Maqedonisë së Veriut dhe shërben si një linjë strategjike për lidhjen e rrjetit tonë hekurudhor me rrjetet ndërkombëtare”.
Një vijë aktive e trenave, një projekt i dështuar nga Qeveria
Prej pandemisë e deri më sot, gjendja hekurudhore në veri të Kosovës është jonfuksionale.
Hëpërhë, nuk ka asnjë tren apo vijë hekurudhore aktive në këtë pjesë.
Fakti që Kosova mezi mban një vijë hekurudhore, siç është ajo Prishtinë-Pejë, është shndërruar në kuriozitet për blogerë e influencerë të huaj.
I vetmi projekt që mban ‘gjallë’ hekurudhat është ai për rehabilitimin e Vijës së 10-të Hekurudhore Leshak-Han i Elezit.
Ky seksion prej 148 kilometrash është pjesë e atij që njihet si Orient/East-Med Corridor, i tjetërquajtur edhe Hekurudha 10.
I menduar në tri faza, projekti rehabilitues përfshin ndreqjen dhe zëvendësimin e shinave, rindërtimin e urave dhe tuneleve, meremetim stacionesh e ndalesash, elektrifikim dhe sisteme të reja shenjëzimi e sigurie.
Në vlerë prej 208 milionë eurosh me grante nga BE dhe kredi nga BERZH-i, BEI dhe Qeveria e Kosovës, projekti ishte dashur të përfundonte më 2019.
Gjetjet e Zyrës së Auditimit: “Ministri që nuk kanë ekspertë, nuk komunikojnë e as nuk mbikëqyrin”
Në të vërtetë, shpresat që ky projekt të përfundojë shpejt janë fare të pakta.
Ky ka qenë vlerësimi i vjetmë i Zyrës Kombëtare të Auditimit që e kishte audituar projektin.
Në raportin e saj 115-faqësh ishte thënë se Infrakosi, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Ekonomisë nuk kanë arritur të jenë efikase për t’i shkuar gjer në fund projektit.
“Komunikimi i dobët ndërmjet palëve, mungesa e ekspertizës dhe e angazhimit të mjaftueshëm, si dhe vendimmarrja e vonuar kanë ndikuar që projekti të pësojë vonesa të mëdha dhe të tejkalojë buxhetin e planifikuar. Për më tepër, mungesa e mbikëqyrjes së rregullt dhe efektive ka përkeqësuar situatën, duke mos arritur objektivat brenda afateve të caktuara”, ishte thënë në raport.
Sipas Zyrës së Auditimit, punimet e gjertanishme për fazën e parë janë kryer vetëm 60 për qind, për fazën e dytë 32 për qind, kurse për të tretën nuk kanë nisur fare.
“Rrjedhimisht palët janë detyruar të përditësojnë marrëveshjen për ta zgjatur afatin deri në vitin 2027, por që nisur nga ritmi i realizimit të punëve deri tani, vështirë që projekti do të finalizohet as në vitin 2027”, ishte thënë mes të tjerash në raport.
Tutje, Zyra e Auditimit në përfundimet e saj kishte vlerësuar se projekti është larg nga të qenit efikas për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së ekspertëve adekuatë, si dhe pamjaftueshmërisë në angazhim dhe vendimmarrje nga palet përgjegjëse.
Qeveria e Kurtit i lejonte vizitat e drejtorit të ‘Železnice Srbije’
Ajo që nuk përmendet shpesh është se edhe në kohën kur Qeveria Kurti bënte ekzbicione në veri të vendit me aksione për rikthimin e sovranitetit, zyrtarë të shtetit serb vizitonin të patrazuar asetet hekurudhore në veri.
Kështu, në mars
të 2024-s, Drejtori i Përgjithshëm i Infrastukturës Hekurudhore të Serbisë, Nebojsha Shurlan, vizitoi katër stacionet hekurudhore në veri të Kosovës.
Kjo vizitë, sipas njoftimit zyrtar, u krye për të mbështetur punëtorët hekurudhorë në veri të Kosovës se “ata nuk janë vetëm”.
Kjo ndërmarrje (Železnice Srbije) kishte thënë se në Kosovë ka rreth 100 punonjës të saj të përfshirë në trafik, elektroteknikë, ndërtim dhe shërbime ndihmëse.
Në anën tjetër, ndërmarrja publike ‘Trainkos’, e cila në mandatin e saj ka ofrimin e shërbimit të bartjes së udhëtarëve brenda e jashtë Kosovës, ka gjithsejt 159 punonjës në marrëdhënie të rregullt pune.
Kur u ndalua ‘treni rus’
Hekurudhat në veri të Kosovës ishin bërë lajm ndërkombëtar kur autoritetet serbe, në janar të 2017-s, bënë përpjekje që ta nisnin një tren në veri të Kosovës.
I prodhuar në Rusi, treni mbante mbishkrimin provokues “Kosova është Serbi” si dhe flamuj e simbole nacionaliste serbe.
Por, institucionet shtetërore të Kosovës, të mbështetura fuqimisht edhe nga shtetet mike perëndimore, ishin treguar në lartësinë e tyre.
Me urdhër të presidentit Hashim Thaçi, njësitë elitë të Policisë së Kosovës kishin zënë vend në Leshak për të pamundësuar çfarëdo hyrje ilegale të trenit ‘rus’.
Në këtë kohë, madje, ishte vënë ‘rezervë’ edhe një plan tjetër me anë të të cilit trenit në fjalë do t’i bllokohej lëvizja në shina përmes një lokomotive të ‘Trainkosit’. /Nacionale/