"Kanë lexuar një libër": me ndërmendje të godasë opozitën, Murati e rëndon Kurtin që fatkeqësinë e shihte te "inflacioni 3%" - NACIONALE

"Kanë lexuar një libër": me ndërmendje të godasë opozitën, Murati e rëndon Kurtin që fatkeqësinë e shihte te "inflacioni 3%"

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Trendet inflacioniste të Kosovës gjatë tre viteve të fundit, gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti dhe nën drejtimin e ministrit të Financave Hekuran Murati, kanë qenë në qendër të debatit publik. Inflacioni arriti kulmin në 11.6 për qind në 2022, duke shkaktuar shqetësime dhe kritika ndaj ekzekutivit. Në dritën e këtyre zhvillimeve, Kurti, si kritikues i ashpër i inflacionit 3% si opozitar, mund të jetë rënduar nga fjalët e ministrit të tij teksa kundërpërgjigjej me tone përçmuese ndaj opozitës, duke ia atribuar rritjen e madhe të çmimeve faktorëve të jashtëm global.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ministri Murati theksoi se inflacioni i Kosovës është i “importuar”, duke pohuar se Kosova si një ekonomi e euroizuar nuk ka kontroll mbi politikën monetare dhe kështu nuk luan asnjë rol në shkaktimin e inflacionit.

Murati akuzoi kritikët se për çështjen e inflacionit kanë lexuar vetëm një libër, duke pohuar se rritja e çmimeve nuk ishte për shkak të faktorëve të brendshëm, por ishte rezultat i presioneve të jashtme inflacioniste.

Ata që e kanë lexuar një libër për këtë punë, mund të thirrën në teorinë e përgjithshme, konceptin e përgjithshëm që inflacioni është shtytja e parasë, që e rrit kërkesën për produkte të caktuara pa rritje të produktivitetit dhe shkakton rritje të çmimit.” – tha ai ndër të tjera.

Ndonëse kreu i Financave kishte ndërmend të sulmonte opozitën me një argument të tillë, shefi i tij – kryeministri Albin Kurti – i cili ishte përballë kreut të Financave, mund të jetë rënduar më shumë nga këto fjalë.

Ishte pikërisht kryeministri Kurti – në atë botë si opozitar – që kishte vërejtje për "inflacionin 3 për qind". Me ardhjen e tij në pushtet, Kosova theu rekord disadekadësh të inflacionit, i cili preku nivele dyshifrore.

“Thonë rritja ekonomike gati 4 për qind. Por inflacioni e ki mbi 3 për qind. T’ka ra numri i të punësuarve. T’u kanë rrit çmimet. Ikin njerëzit.”- deklaronte Kurti rreth 6 vite më parë.

Sipas ministrit Murati, njohësit e vërtetë të ekonomisë së Kosovës e kuptojnë se inflacioni është kryesisht pasojë e zhvillimeve të jashtme nën argumentin se vendi ka një ekonomi të euroizuar.

“Kush e ka lexuar edhe një libër të dytë e merr parasysh edhe kontekstin ekonomik dhe qysh operon ekonomia e Kosovës ku nuk jemi anëtarë të eurozonës, nuk printojmë para, ra nuk shkaktojmë ne inflacion në këtë rast por neve na është importuar inflacioni, atëherë duhet ta kuptosh pak më mirë se si ka vepruar inflacioni këtu sepse e kemi pa që shpeshherë thonë që të hyrat janë rrit por janë rritur për shkak të inflacionit. Jo. Tek ne në Kosovë, meqenëse jemi ekonomi e euroizuar.” – tha ai më tej

Murati vazhdoi duke pretenduar se Qeveria bëri punë të mirë në menaxhimin e situatës me rritjen e çmimeve përmes politikave të caktuara. Megjithatë, sipas një konstatimit të Bankës Botërore në lidhje me politikat e Qeverisë së Kosovës në një raport të vjeshtës të vitit 2022 kur Kosova po përballej me inflacion të paprecedentë, thuhej mes tjerash se “pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e ndihmës sociale është jofleksibile dhe mund të ofrojë vetëm mbrojtje të kufizuar.”

Madje, raporti theksonte se ishte pikërisht inflacioni i lartë që ndaloi rrugën e Kosovës drejt rimëkëmbjes së madhe paspandemike të vitit 2021, vit në të cilin Lëvizja Vetëvendosje e mori Qeverinë me një rritje prej 16.32 për qind të Bruto Produktit Vendor gjatë tremujorit të dytë.

Lajme të ngjashme