Përkrahësja e Listës Guxo favorite për pozitën e Kryeshefit në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive
Kaltrina Demiri, ndonëse me pozitë politike, synon pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë. Postimet në rrjetet sociale të zonjës Demiri verifikojnë faktin se ajo është anëtare e Listës Guxo. Sipas burimve të Nacionales, Demiri është favoritja kryesore për t'u zgjedhur në këtë pozitë.
Pas procesit të konkursit, KMDK SH.A. ka renditur dhe publikuar listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e këtij projekti menaxhimi.
Në mesin e katërmbëdhjetë kandidatëve për Kryeshef Ekzekutiv të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, shihet edhe emri i Kaltrina Demirit
Njëri nga kandidatet për këtë pozitë ka konfirmuar për Nacionalen se Kaltrina Demiri është një nga personat që ka aplikuar për këtë pozitë.

Madje, ai ka thënë Nacionales se zonja Demiri mbetet kandidati favorit për t'u zgjedhur në këtë pozitë.
Ndonëse Demiri është në garë për postin e Kryeshefit Ekzekutiv në këtë kompani, ajo duket se mban edhe një post politik.
Kjo dëshmohet nga një postim në platformën Facebook më datë 7 maj, ku emri i Kaltrina Demirit është etiketuar si anëtare e Kryesisë së Listës Guxo në degën e Prishtinës.
Në profilin e saj në Facebook, Demiri ka një sërë postimesh me anëtarët e Listës Guxo.
Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK SH. A.), është kompani e legalizuar dhe e licencuar për menaxhimin e deponive sanitare regjionale të mbeturinave Komunale në Republikën e Kosovës.