Kaloi edhe një hap tjetër për viza, çka tash? - NACIONALE

Kaloi edhe një hap tjetër për viza, çka tash?

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Proces i stërgjatur, fundi i së cilit ka filluar të duket në horizont. Përfaqësuesit e Presidencës së Këshillit të Bashkimit e Parlamentit Evropian të mërkurën e 14 dhjetorit nënshkruan marrëveshjen për projekt-rregulloren mbi udhëtimin pa viza të kosovarëve në zonën Schengen.

Këtë e konfirmoi edhe Këshilli Evropian përmes një komunikate zyrtare, pak çaste pas përfundimit të mbledhjes. Ashtu siç edhe pritej, në komunikatën gjegjëse thuhet se ky proces do të fillojë së zbatuari nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), por asnjëherë më vonë se 1 janar 2024.

Çka tash?

Radhën e ka Këshilli Evropian, e më pas edhe Parlamenti. Këto institucionet duhet ta miratojnë tekstin, para se të kalohet te procedurat formale.

Në momentin që miratohet teksti, vendimi publikohet në uebin zyrtar, bashkë me datën e hyrjes në fuqi. Pika e fundit, kuptohet, hyrja në fuqi.

Duhet rikujtuar faktin se Kosova momentalisht është e vetmja në Ballkanin Perëndimor, kurse procesi po zgjat tash e 12 vjet.

Ajo që duhet përsëritur, shteti ynë, që nga viti 2018 i ka plotësuar kushtet për liberalizim, por që deri më tani nuk e ka fituar dhe për shumëkë, kjo ka ndodhur për shkak të situatës politike dhe vendeve skeptike, herë Franca e herë Holanda.

Zëvendës-kryeministri

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar për dakordimin të Parlamenti, Këshillit dhe Komisionit Evropian mbi heqjen e vizave për Kosovën.

Bislimi ka thënë se sot është ditë e rëndësishme evropiane për vendin tonë.

“Dakordimi, i cili do të kalojë në hapat e mëtejshëm procedurial para hyrjes në fuqi, do t’u mundësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të udhëtojnë drejt BE-së pa viza, më së largu me 1 janar 2024, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180 ditore”, tha zëvendës-kryeministri, duke falënderuar më pas Presidencën Çeke të Këshillit të BE-së.

“Liberalizimi i vizave është një arritje në integrimin evropian të Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme evropiane për vendin tonë, pas edhe nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE. Falenderoj Presidencën Çeke të Këshillit të BE-së, për përkushtimin gjatë presidencës së tyre në këtë proces. Gjithashtu dhe grupin parlamentar të social-demokratëve, të cilët mirëpritën dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, përfundoi Bislimi.

Presidenca çeke

Takimin e 14 dhjetorit e kishte paralajmëruar në një intervistë dhënë gazetares së Nacionales, Leonitë Demaku, edhe përfaqësuesja e përhershme e Çekisë në Bashkimin Evropian, Edita Hrda.

“Po, pritet që ketë patjetër takime të tjera – në veçanti ato tre palëshe me Parlamentin Evropian që do të fillojnë tani. I pari parashihet të mbahet më 14 dhjetor të vitit 2022 dhe mezi presim që të procedojmë shpejt.” – tha ajo gjatë javës së kaluar.

Hrda ka folur edhe rreth arsyeve se pse u vendos 1 janari 2024 si data e fundit, për libralizimin e vizave, duke pohuar se kjo është më shumë “masë sigurie”.

“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – tha ambasadorja e Çekisë, e cila kryeson presidencën e BE-së aktualisht.

Lajme të ngjashme