Ka qendra pa asnjë votues: Pjesëmarrja shumë e ulët në zgjedhjet në veri
Kur kanë kaluar tri orë që nga hapja e qendrave të votimit në katër komunat e veriore, interesimi për të votuar është skajshmërisht i ulët.
Në disa qendra madje është raportuar se nuk ka pasur asnjë votues. Në disa të tjera 2-3 votues, e në disa të tjera deri në 10.
Krejt kjo vjen si pasojë që Lista Serbe vendosi t’i bojkotojë këto zgjedhje, dhe thirrjeve të tyre që serbët të mos marrin pjesë në këto zgjedhje.
Në “Kodrën e Minatorëve” janë raportuar vetëm 9 votues. Në qendrën e votimit në Zhazhë të Zveçanit kanë dalë për të votuar vetëm gjashtë persona.
Situatë e njëjtë është pak a shumë edhe në Leposaviq. Në shkollën “Kadri Bistrica” atje kanë votuar 10 qytetarë. Kurse në qendrën e votimit në pikën kufitare në Jarinjë nuk ka dalur asnjë votues deri më tash.
Kurse në qendrën e votimit tek vendi që njihet si “Tre Rrokaqiejt” kanë votuar 6 qytetarë.
Për të vëzhguar gjithë procesin ka dalë në terren edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
"Qendrat e votimit që janë hapë me kohë dhe procesi është duke shkuar në rregull nuk ka ndonjë problem dhe ftojë gjithë qytetarët që të dalin në zgjedhje në mënyrë që të ushtrojnë detyrën e tyre për votë dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre që t’i zgjedhin institucionet legale dhe në mënyrë demokratike. Saktësisht nuk mund të them tani por sa mujta me kuptu në këtë qendër votim kanë dalur 60 persona për ma tutje do të shohim." - ka thënë ai.
Në anën tjetër, në këto zgjedhje kanë votuar deri më tani edhe disa nga kandidatët për kryetarë të komunave, përfshirë ata shqiptarë e serbë.
Zgjedhjet në këto katër komuna vijnë pasi kryetarët serbë kohë më parë kishin dhënë dorëheqje. Zgjedhjet ishin planifikuar të mbaheshin në dhjetor, mirëpo për shkak të situatës së tensionuar në veri, presidentja Osmani vendosi t’i shtyjë ato.
Thirrja për bojkot nga Lista Serbe
Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në këto zgjedhje. Madje, ajo iu bëri thirrje edhe të gjithë qytetarëve serbë të mos dalin për të votuar.
Në deklaratë thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.
Në deklaratën e saj, po ashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës” përmes “kryetarëve pushtues”.
Për asnjërin prej këtyre pretendimeve, Lista Serbe nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste ato.
“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, tha Lista Serbe.
Thirrja e ndërkombëtarëve
Në anën tjetër edhe bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar faktin që Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë në këto zgjedhje. Ata kanë bërë thirrje që ky proces të shkojë i qetë dhe pa tensione.
“Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja bashkë me partnerët tanë, ishte angazhuar me të dyja palët për të ulur tensionet dhe që serbët e Kosovës të përmbushnin obligimin e tyre nga dialogu dhe të ktheheshin në institucione, ndërsa për Kosovën të mundësojë që ky kthim të realizohej. Deri më tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Është imperative që të kthehemi në situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim”, ka deklaruar Stano nga BE-ja.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Hovenier iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në zgjedhje. “Të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Hovenier.
Ai ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara se bashku partnerët e tyre do ta vëzhgojnë nga afër procesin zgjedhor.



