Deklarata e Hill për bombardimet në Serbi, Joseph: S'ishte e mençur
Deklaratës së ambasadorit amerikan Christopher Hill në Serbi lidhur me bombardimet e NATO-s, i është përgjigjur edhe profesori amerikan Edward P. Joseph.
Ndërsa Hill shprehu ngushëllime për jetët e humbura të serbëve si pasojë e bombardimeve në Beograd, Joseph ka hedhur dyshimet e tij nëse kjo ishte një deklaratë e duhur ose jo.
“Ambasadori Chris Hill shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve të serbëve gjatë luftërave të viteve 1990 dhe konkretisht në fushatën ajrore të NATO-s. A ishte e mençur të bëhej një gjë e tillë? Jo,”- ka thënë Joseph, duke shtuar se nëse pytet a “a ishte gabim kjo deklaratë” e Hill, përgjigja do të ishte edhe më e komplikuar.
Duke shkruar në Twitter, Joseph më tej ka sqaruar mendimin e tij.
“Nuk ishte e mençur sepse, që nga momenti i vitit 2010 kur Parlamenti serb njohu në heshtje gjenocidin e kryer në Srebrenicë, Serbia ka ecur mbrapa në trajtimin e së kaluarës … ndërsa demokracia e saj ka ecur prapa. Revizionizmi është thelbi i regjimit të Vuçiqit. Ashtu si Putini me rusët, Vuçiq inkurajon serbët të mendojnë për veten si viktima, jo si autorë. Për Beogradin, historia e fundit e Kosovës fillon në vitin 1999, me bombardimet e NATO-s, jo me 1989 me heqjen e autonomisë – dhe një dekadë represioni brutal,”- ka shkruar ai.
Ndër të tjera Joseph ka thënë se këto ngushëllime mund të përforcojnë edhe më shumë ndjenjën e viktimizimit te rusët e serbët.
“Pra, ngushëllimet e bëra me qëllim përforcojnë ndjenjën oportuniste të viktimizimit ruse dhe serbe. Në vend që të qetësojnë hidhërimin, ngushëllimet i largojnë serbët për ta kuptuar të vërtetën: humbjet e tyre – duke përfshirë humbjen e Kosovës – janë kryesisht rezultat i agresionit serb,”- është shprehur ai.
Duke përfunduar “tweetet” e tij, Joseph ka kujtuar edhe kohën e Hill si ambasador në Maqedoninë e atëherëshme dhe rolin që ka pasur në strehimin e refugjatëve shqiptarë të Kosovës gjatë luftës.
“Vlerat perëndimore – vlerat amerikane – vlerat njerëzore përfshijnë njohjen e kujtimit të atyre që humbën në konflikt dhe dhimbjen e anëtarëve të mbijetuar të familjes. Me kalimin e kohës, me kthimin përfundimtar të Serbisë në rrugën demokratike, do të kuptohet sinqeriteti i gjestit të Hillit,”- ka përfunduar Joseph.
Ambassador Chris Hill expressed his condolences for the loss of Serb lives during the wars of the 1990’s, and specifically the NATO air campaign. Was it wise to do so? No. Was it wrong to do so? More complicated answer. 🧵1/
— Edward P. Joseph (@edwardpjoseph) March 24, 2023
