"Jo duke i rrënuar urat tjera me botën", "jo pa aleatë"; PDK dhe LDK ‘pro’ hapjes së koordinuar të urës së Ibrit - NACIONALE

"Jo duke i rrënuar urat tjera me botën", "jo pa aleatë"; PDK dhe LDK ‘pro’ hapjes së koordinuar të urës së Ibrit

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ndonëse krerët shtetëror kosovarë janë të bindur në realizimin e nismës për hapjen e urës mbi lumin Ibër, mesazhet e aleatëve të Kosovës kundër një veprimi të tillë janë të qarta; 'hapja e urës do të nënkuptonte veprim të njëanshem dhe të pakoordinuar duke rrezikuar kështu tensionet rajonale, gërryerjen reputacionit të Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar dhe tërheqjen e sanksioneve të mëtejme.'

Në dritën e këtyre zhvillimeve, dy partitë më të mëdha opozitare të Kosovës kanë dhënë mbështetjen e tyre pas hapjes së urës – por me një paralajmërim të madh: 'ajo duhet të bëhet në koordinim me aleatët perëndimorë.'

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga qytetarët që të mos ndikohen nga ajo që ai e cilëson si “propagandë parazgjedhore” e qeverisë rreth urës së Ibrit.

Ai ka sqaruar se për LDK-në, ura duhet të hapet, por kjo duhet të bëhet së bashku me aleatët, sidomos NATO-n e ShBA-të.

Kreu i LDK-së kritikoi ashpër trajtimin e kësaj çështjeje nga ana e qeverisë, duke e cilësuar atë si asgjë më shumë se një dredhi për të fituar vota duke e rrezikuar partneritetin me aleatët.

"Propaganda e pushtetit sot më shumë është e drejtuar kundër faktorit politik shqiptar, sesa ndaj Serbisë dhe projektit të saj ndarës në Urën e Ibrit. Sepse populistët brengë kanë votat dhe pushtetin, prandaj dhe gjithë ky atak paraelektoral. Fushata ka filluar, por ne refuzojmë këtë përballje pa përmbajtje, prandaj dhe e injorojmë. Injorojeni edhe ju, të dashur qytetarë! Ura duhet të hapet! Nuk ka dhe nuk njoh pozicion tjetër politik shqiptar në Kosovë mbi këtë çështje tash e një çerek shekulli.
Ura, megjithatë, nuk është hapur për shkak të vlerësimeve të NATO-s dhe të SHBA-ve mbi sigurinë. Nëse këto vlerësime ndryshojnë në ndërkohë, kushtet piqen, prezenca e tyre në Urë zhbëhet, e njëjta hapet. Prandaj, sa shpenzon kohë pushteti me atak ndaj faktorit shqiptar, të merret me bindjen e aleatëve tanë. Ky është patriotizëm sot. E nëse i keni bindur, hapeni!" -
shkroi ndër të tjera Abdixhiku.

Edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka shprehur mbështetjen e tij për hapjen e urës në koordinim me aleatët, por jo në kurriz të marrëdhënieve të Kosovës me aleatët.

Në një intervistë për “Express”, Hamza, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në ShBA, ka thënë se ura e Ibrit nuk duhet ta hapet duke i rrënuar urat e komunikimit me aleatët.

“Po e përsëris, ura mbi Ibër duhet të hapet. Mirëpo, jo duke i rrënuar të gjitha urat tjera me botën, me partnerët dhe me bashkëqytetarët tonë në veri. Ura duhet të hapet si simbol i bashkëpunimit me qytetarët dhe aleatët tonë. Kështu siç po vepron kjo qeveri e papërgjegjshme, po rrezikojmë që ajo të mbetet e mbyllur edhe për një kohë shumë të gjatë. Albin Kurti nuk po e hap dot urën, veç sa po e cementon prezencën e NATO-s mbi atë urë. Nuk po forcohet sovraniteti por Qeveria e Kosovës po e kthen KFOR-in dhe EULEX-in dhe po e kthen Rezolutën 1244. Ky është zhvillim për keqardhje”, ka thënë Hamza.

Lajme të ngjashme