‘Jeni më keq se Serbia’: Sulmi i VV-së në fushatë ndaj Nacionales përmendet nga misioni vëzhgues i BE-së
Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ka publikuar të enjten raportin për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më nëntë shkurt në Kosovë. Mes tjerash, aty në pjesën e mediave përmendet edhe sulmi ndaj ekipit të Nacionales, derisa po raportonin nga fushata e Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë.
Sipas këtij raporti, gazetarët në përgjithësi kanë qenë të lirë për të mbuluar fushatën, megjithatë, pati incidente të pengimit dhe kërcënimeve.
“Gazetarët në përgjithësi ishin të lirë për të mbuluar fushatën; megjithatë, incidentet e pengimit dhe kërcënimeve u shtuan me vazhdimin e fushatës, duke nxitur Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) të ngre shqetësime rreth veprimeve dhe retorikës që kishin në shënjestër gazetarët dhe mediat. AGK po ashtu dënoi sulmet verbale ndaj mediave nga kryeministri Kurti dhe zyrtarët e tjerë të LVV-së. Përfaqësuesit e mediave ia atribuuan armiqësinë në rritje ndaj shtypit përdorimit të gjuhës nxitëse nga anëtarët e partisë LVV gjatë fushatës, e cila nxiste dhunë ndaj mediave” – thuhet në raport, transmeton Nacionale.
Në pjesën ku misioni sqaron se për cilin sulm bëhej fjalë, përmenden deklaratat e aktivistëve të VV-së ku Nacionales iu drejtuan me “Jeni më keq se Serbia”.
“Më 25 janar, AGK dënoi pengimin e një ekipi të lajmeve të Nacionale në një tubim të LVV-së në Malishevë, ku gazetarëve ju tha se "Jeni më keq se Serbia!". Më 8 shkurt, persona të panjohur kanë vandalizuar portalin Veriu.info, duke thyer dritaret e objektit të tij. Në ditën e zgjedhjeve, Klan Kosova raportoi nëntë raste në AGK, lidhur me fyerje verbale, ofendime dhe pengesa fizike gjatë raportimit nga qendra të ndryshme të votimit, kryesisht nga përkrahës të LVV-së. “Klan Serbia” dhe komente të tjera fyese në disa raste kërkuan ndërhyrjen e policisë”.

Tutje, raporti thekson edhe bojkotin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj tri televizioneve vendore, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta te organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare.
“Bojkoti i LVV-së ndaj mediave private Klan Kosova, Dukagjini dhe T7 ka ngjallur kritika nga shoqatat e gazetarëve në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare. Bojkoti i mediave nga LVV, i kombinuar me debatet që shpesh përfshinin vetëm përfaqësues të një partie, e kufizoi mundësinë e votuesve për të krahasuar drejtpërdrejt kandidatët kryesorë. Përveç kësaj, as LDK nuk mori pjesë në debatet e organizuara nga transmetuesi publik. Fatkeqësisht, nuk u zhvilluan debate midis kandidatëve kryesorë, duke kufizuar aftësinë e votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar mbi platformat e kandidatëve dhe premtimet e fushatës” – thuhet tutje.
Lexo edhe:
Sqarim:
Misionet e Vëzhgimit të Zgjedhjeve janë të pavarura nga institucionet e Bashkimit Evropian. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë raport janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish politikën dhe qëndrimin zyrtar të Bashkimit Evropian.