“Janë bërë pjesë e lojës së Kurtit; Lajçaku ua mbylli gojën”: Opozita joparlamentare e pakënaqur me PDK-në dhe LDK-në
Opozita jashtëparlamenatre nuk është e kënaqur me opozitarizmin e tri partive parlamentare.
Partia Socialdemokrate dhe Nisma Socialdemokrate kanë kritikuar ashpër PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për qasjen e tyre në raport me Qeverinë Kurti.
Përfaqësuesit e PSD-së dhe Nismës kanë thënë se liderët e opozitës po i shërbejnë kryeministrit Albin Kurti, duke mos e publikuar draftin e Asociacionit, të cilin ua ka prezantuar emisari i BE-së.
Ata kanë thënë se meqenëse Qeveria nuk po e publikon, PDK-ja dhe LDK-ja duhet ta bëjnë një gjë të tillë.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka vlerësuar se Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku janë bërë pjesë e lojës se kryeministrit Kurti.
“Tregojeni draftin Lumir e Memli! Drafti po fshihet sepse drafti po dihet. Kështu do të thoshte kryeministri në një tjetër kohë dhe nga një tjetër pozicion. Do të kishte të drejtë sepse mungesa e transparencës nuk është thjesht fshehje e informatës. Është përmbajtja problematike e lajmit, arsyeja e fshehjes. Dialogu që ka udhëhequr Kurti është më i mbylluri dhe më i fshehti. Po na rezulton edhe më i dëmshmi. Edhe sanksione edhe Asociacion. Sa më shumë sekrete aq më shumë dëme. Drafti tashmë është pranuar, pse nuk zbulohet?!”, ka shkruar Molliqaj në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, dy liderët opozitarë kanë abstenuar nga çfarëdo kundërshtimi ndaj kryeministrit Kurti.
“Puna e fshehtë është mënyra e kryeministrit. Pjesë e kësaj loje janë bërë edhe Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku. Ata jo thjesht kanë abstenuar nga çfarëdo kundërshtimi. Po i shërbejnë Kurtit edhe në menaxhimin e opinionit publik. Marrëveshjen e din Kurti, mbase Besnik Bislimi; e kanë parë edhe liderët opozitarë, askush tjetër”, ka vlerësuar Molliqaj.
Edhe më i ashpër me PDK-në dhe LDK-në ka qenë zyrtari i Nismës, Zafir Berisha.
Sipas tij, kryeministri Kurti e përdori Miroslav Lajçakun për të ua mbyllur gojën dy partive kryesore opozitare.
“Albini me gjasë e përdori me mjeshtëri Lajçakun për me ja mbyllur sytë opozitës parlamentare, pasi gojën e kishin të mbyllur edhe më herët për Zajednicën! Lajçak ishte në Prishtinë pa paralajmërim, ju tregoj një foto për statutin e Zajednicës opozitës, mirëpo ja u ndaloj që me tregu se foto ishte bardh e zi, apo me ngjyra”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë informacione për draftin e Asociacionit.
“Albini tash po dihet kush është, mirpo këta tjerët (opozita) kush dreqin janë, të cilët ditë e natë thirren në transporenc. Zajednica e Albinit po bëhet për parti apo për Kosovën, qytetarët e të cilës nuk e kanë iden se çfarë pazera po bëhen me Serbinë në kurruzë të vendit tonë”, ka shkruar Berisha.
“Ia kemi lanë livadh”
As vetë opozita parlamentare nuk është e kënaqur me aktivitetin e saj në Kuvend.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pranuar që opozita nuk ka bërë punën e duhur në raport me Qeverinë Kurti.
Ai ka thënë se në këtë mandat opozita ia ka “lanë livadh” kryeministrit Kurti.
Në emisionin “Rubikon”, Haradinaj ka thënë se vetëm gjyqësori dhe mediat në Kosovë nuk janë nën kontrollin e Kurtit.
“E meritojmë kështu me na e ba Kurti sepse ia kemi lanë livadh, ia kemi dhanë votën me shumicë dhe atë blanko, pastaj ne si opozitë nuk kemi ditë me u bashku me kohë dhe me mbajt nën kontroll këtë njeri dhe këtë qeveri, ky e shtini në kontroll edhe presidenten dhe parlamentin dhe të gjithë realisht. Të vetmit që nuk po i kontrollon janë gjyqësori dhe mediat”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, opozitës në këtë mandat i ka munguar vetëbesimi.
“Unë e pranoj se ka munguar vetëbesimi i duhur opozitar i yni, nuk mburrem me opozitëbërjen tonë, nuk kemi tregu nivel të përgjegjësisë përballë një qeverie kaq të papërgjegjshme dhe një kryeministri të paparashikueshëm që i rrezikon proceset”, është shprehur Kurti.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të martën ka takuar liderët e opozitës, ku ua ka prezantuar draftin e Asociacionit. Pas takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kanë mohuar se e kanë parë draftin në tërësi.
Ndryshe nga ta, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takim Lajçaku ua ka dhënë për ta lexuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.