“Jam keqkuptuar” – Presidenti i Kroacisë sqaron deklaratën skandaloze për Kosovën
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka folur sërish për Kosovën. Kjo pas reagimeve që shkaktoi deklarata e tij se “Kosova i ishte rrëmbyer Serbisë”.
Milanoviq në konferencë për media të mërkurën së bashku me presidenten e re sllovene Natasha Pirc Musar, ka sqaruar deklaratat e dhëna të hënën që ngjallën reagime të shumta.
“Serbia mbeti pa Kosovën, nuk e dha vullnetarisht, e humbi në luftë. Unë mund të kisha thënë ndryshe, se Serbia ka mbetur Kosovën, por supozoj se të gjithë jemi dakord se Kosova ishte pjesë e Serbisë”, ka thënë Milanoviq, raporton “Index.hr”.
Ai ka thënë se mediat në Serbi nuk duhet ta marrin si fitore deklaratën e tij. Ai ka kërkuar që Beogradi ta njohë Kosovën.
Serbia ka mbetur pa Kosovën. Ka mbetur pa të në luftë. Kosova është njohur. Unë shkoj përreth duke u thënë të tjerëve ta njohin Kosovën. Që Serbia të vijë në Perëndim, disa gjëra duhet të ndryshojnë. Serbia do ta kuptojë se është një dashnore e mashtruar. Rusia po përpiqet diçka me Ukrainën dhe do të duhet ta njohë Kosovën”, ka thënë Milanoviq.
Tri ditë më parë, Millanoviq tronditi opinionin publik pas një deklarate për Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se Kosova ishte grabitur nga Serbia.
“Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj. Ky është fatkeqësisht një fakt i dhimbshëm dhe i rrezikshëm. Ne e aneksuam Kosovën. Ne bashkë me bashkësinë ndërkombëtare. Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? A e njohëm ne Kosovën? Nuk është aneksim, por rrëmbim. Këtu nuk bëhet fjalë për Kosovën, por për gjithë konceptin në të cilin dikush mendon se ka të drejtë”, deklaroi presidenti kroat.