Izraeli duket i aftë t’i luftojë disa shtete e organizata, por jo ta ketë një plan të qëndrueshëm të paqes
Pas Ismail Hanijes së Hamasit i erdhi radha edhe Hasan Nasrallahut të Hezbollahut.
Anglisht, kur të vdes dikush, a kur ta vrasin dikë, e përdorin një thënie që më pëlqen shumë: “another one bites the dust”.
Demek, edhe një ra prej kalit, me fytyrë në pluhur. E kafshoi pluhurin.
Prej atyre që kërkojnë zhdukjen e Izraelit nga faqja e dheut, ende vazhdon me qenë gjalle Ajatollahu i Iranit dhe Jahja Sinwari i e Hamasit, i cili ndodhet dikun në Gaza në bunker.
Po mendoj prej këtyre që kanë fuqi, se kështu me qasje antisemite ka boll, fatkeqësisht edhe në mesin tonë.
Por kush është Hasan Nasrallahu, për vrasjen e të cilit Izraeli i angazhoi shtatë-tetë avionë, ku secili prej tyre e kishte të ngarkuar një lloj të bombës që peshon 1000 kilogramë e të cilat bomba para se me shperthy, shkojnë edhe pak nën siperfaqën e tokës, në mënyrë që t’i shkatërrojnë edhe bunkerat.
Izraeli e kishte informatën që në një ndertesë në jug te Bejrutit ndodhej shefi i Hazbollahut bashkë me disa gjeneralë te tjerë, prandaj për mos me i ikë kjo mundësi, e përdori krejt potencialin ushtarak që e kishte në dispozicion, minus armën nukleare.
Urdhrin për sulm e ka dhënë Bibi Netanjahu që ndodhej ne New York ne OKB, ku u perball me kritika brutale nga liderë shtetesh, por ky u premtoi atyre që po e fitonte luftën.
E veçanta e këtij sulmi ndaj Nasrallahut ishte se këtë herë Izraeli nuk e paralajmeroi as Amerikën dhe Bajdenin, se çfarë po bënte.
Mediat e besueshme botërore tregojnë qe në fillim të luftës, para 1 viti, Izraeli kishte kërkuar leje prej Bajdenit që ta vrasë Hasan Nasrallahun, kurse Biden i ka thënë jo, prej frikës që nje akt i tillë e përfshinë Iranin në konflik.
Pse Iranin, e jo shtetet arabe, bie fjala?
Hasan Nasrallahu dhe Lëvijza Hezbollah janë arab, të besimit fetar shiit, pra me etni arab, por me fe si Irani.
Në Liban, aty ku e ka qendrën Hazbollahu, 1/3 e popullatës janë të krishterë, 1/3 sunitë dhe 1/3 shiitë.
Këta kanë luftu me njëri-tjetrin rreth 15 vjet, prej vitit 1975 deri në vitin 1990.
Mos e bë zot, si me luftu në shqiptarët me njëri-tjetrin. Kur ishte kryer lufta, ishin marrë vesh që presidenti me qenë i krishterë, kryeministri mysliman suni, e kryetari i kuvendit mysliman shiit.
Aktualisht raportet i kanë të mira. Të tri grupet i përbashkon urrejtja ndaj Izraelit, kurse të tri grupet i kanë aleancat ndryshe-ndryshe.
T’krishterët janë të afërt me Francën, muslimanët sunni me shtetet arabe, kurse muslimanët shiit dhe Hezbollahu janë të afërt me Iranin.
Në fillim të viteve të 80’ta, për shkak se palestinezët e sulmonin Izraelin prej Libanit, Izraeli ishte futë brenda territorit të ketij shteti dhe e kishte pushtuar një pjesë.
Ky është momenti kur ka lindë Hezbollahu, e cila lëvizje është themeluar nga Garda Revolucionare e Iranit. Pararendëse e Hezbollahut ishte Organizata për Xhihadin Islamik.
Po flasim vetëm 3-4 vite pasi që Irani e kishte tronditur botën me revolucionin islamik, kur ishte rrëzuar nga pushteti Shah Pahlavi dhe kishte ardhë në pushtet Homeini, zhvillim ky që i kishte frymëzuar shumë lëvijze islamike nëpër botë.
Hezbollahu në vitin 1983 i kishte vra, me nje akt vetevrasës, rreth 300 ushtarë francez dhe amerikanë qe kanë qenë të stacionuar në Bejrut.
Hezbollah ishte themeluar me misionin për dëbimin e Izraelit prej territoreve të pushtuara libaneze.
Në qëndrimet e para politike të kësaj organizate thuhej që armiqtë e islamit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik.
Në vitin 1992 Izraeli kishte arritur ta vriste udheheqësin e parë të Hezbollahut, Abaz Musawi.
Pas tij në krye të kësaj organizate vjen një djalë i ri me mjekërr të madhe dhe turban në kry, që quhej Hasan Nasrallah, më vonë i njohur edhe si Abu Hadi, ose baba i Hadit, djali i madh i tij quhej Hadi i cili u vra në vitin 1997 në luftë me Izraelin.
Kjo ia ka rritë shumë reputacionin atij në boten islame.
Hasani ishte Saiid, që ne botën islame këtë epitet e gëzojnë ata që janë në gjendje me e ndjekë linjën e vetë të gjakut deri te profeti Muhamet.
Me titull në boten shiite, ai ishte një shkallë më i ulët se Ajatollahu.
Prej 32 vjet sa e ka udhëheq këtë organizatë Hasan Nasrallah ishte një prej figurave më interesante politike dhe ushtarake myslimane në botë.
Ai ishte një prej 9 fëmijëve në familjen e tij. Si i vogël, ai ishte rritur në një lagje ku shumica ishin të krishterë.
Studiuesit thonë se kjo arsye ka ndikuar që ai edhe përkundër faktit se ishte nën ndikimin e Iranit, gjatë gjithë kohes sa ka sunduar në Libanin jugor, ai nuk e ka imponuar një islam radikal.
Grate, nën pushtetin e tij, nuk kanë pasë nevojë të mbulohen, e gjithashtu ai nuk i ka mbështetë praktikat e ISIS dhe Al Qaeda, për mënyrën e jetesës.
Hasan Nasrallah ka qenë orator i shkathët, ata që e kanë taku thonë se ka pasë nje sens të humorit dhe gjithashtu ishte pragmatist, duke provu me u pershtatë me kohën.
Bie fjala, Nasrallah e ka pasë qëndrimin politik që Izraeli nuk duhet të ekzistojë, por Palestina duhet me qenë një shtet që përbëhet prej hebrenjve, myslimanëve dhe të krishterëve, me të drejta të barabarta.
Imazhi i tij ushte rritur shumë pas luftës së vitit 2006, kur Izraeli është futë me trupa tokësorë në Liban, në një luftë ballë për ballë me Hazbollahun. Kjo luftë është mbyllë pa fitues.
Ka ndërhy OKB me një armepushim.
Sigurisht që dëmet ishin të mëdha në pjesën e Libanit. Ishin aq të mëdha, sa Hasan Nasrallah, kishte deklaruar që po ta dinte se do të kishte kaq shume dëme, nuk do të futej në luftë.
Ishte hera e parë që një udhëheqës mysliman e një organizatë ushtarake joshtetërore e tregon njëfarë keqardhje për dëmet njerëzore.
Sido që të jetë figura e tij glorifokohet shumë pas kesaj lufte, kurse në botën e myslimanëve sunni ai e merr një goditje kur i del në ndihmë diktatorit të Sirisë, Bashar Al Asadit, i cili i takon nje sekti tjetër të myslimanëve, atij Alavit.
Izraeli gjithashtu thuhet që ka marrë mësim pas luftës së vitit 2006.
Ka investu shumë në shërbimin sekret të jashtëm, ose Mosad, në mënyrë që herën tjetër kur të vjen momenti me u përballë me Hezbollahun me qenë më të përgatitur.
Kjo si duket edhe ka ndodhë.
Edhe vrasja e Ismail Hanijes në Tehran, edhe kjo e Hasan Nasrallhut në Bejrut, janë vepra arti të Mossadit.
Nuk janë veç këto dy vrasje.
Brenda këtij viti janë vra dhjetëra komandantë të rëndësishëm në të dyja këto organizata, sa që shumë kush tash po e shtron pyetjen a ka me mujtë Hezbollahu me u këndellë pas humbjeve kadrovike të pësuara?
Kushdo që ka dyshu në kapacitetet ushtarake të Izraelit për me u marrë në të njëjtën kohë me disa organizata terroriste, e me dy tri shtete, nuk dyshon më.
Ende pa u bë 1 vit prej masakrës së 7 tetorit të vitit të kaluar, kur u vranë 1200 civil izraelitë dhe u kidnapuan 250 tjerë, ushtria dhe shteti i Izraelit u ka qëndru prapa fjalëve dhe premtimeve që i ka dhënë atë ditë.
Që përgjigja ka me qenë brutale, si kurrë më parë.
Mirëpo, kurdo që do të përfundojë ky cikël i dhunës dhe vrasjeve, a do të jetë Izraeli më i sigurte apo jo?
Hamasi, Hezbollahu dhe këto organizata, më shume se organizata, janë ide, kurse ideja është zor të vritet.
Izraeli po e bën shumë mirë punën në rrafshin ushtarak, por nuk duket qe ka plan të qëndrueshëm politik.
Çka pas luftës? Ose kur kryhet lufta?
A do ta vrasë secilin pjesëtar të Hamasit dhe Hezbollahut? Çka nëse mbetet vetëm një, edhe ai e nis prej fillimit?
Para 7 tetorit, Izraeli, me ndërmjetësimin e Amerikës, ishte shumë afër me u njofte reciprokisht me Arabinë Saudite, e cila do të mund të pasohej edhe prej shteteve të tjera arabe.
Tash kjo gjë duket shumë e largët. Në njefarë mase, me politikën e tij Izraeli i ka bë bashkë kundershtarët e deridjeshën dhe krejt sektet islame.
Bibi Netanjahu e shtron veç një pyetje, kur merr kritika prej botes: Çka kishe bë ti, nëse t’kishin sulmu prej shteteve fqinje?
Sigurisht që kjo pyetje është legjitime, mirëpo nuk po duket që kjo pyetje i zgjidhë krejt problemet.
Krejt ky cikël dhune dhe vrasjesh nisi me 7 tetor të vitit të kaluar, kur trupat e Hamasit hynë në territorin e Izraelit, prej Gazes, edhe i vrane 1200 civil, e i kidnapune nja 250.
Prej atëherë e deri sot fushata e armatosur e Izraelit nuk ka të ndalur. Në një formë ose në një tjetër, si pasojë e saj, janë vra rreth 50 mijë veta, kurse i gjithë rajoni ne Lindje te Mesme është buzë një eskalimi total.
Me eskalim total nënkuptojmë kur Irani dhe Izraeli futen direkt në luftë, e cila luftë e ngrehë brenda vetes edhe Amerikën.