Ishte thënë se do të publikohet për disa ditë, por u bë një muaj: Pse s`po del në dritë raporti final për stabilitetin e urës? - NACIONALE

Ishte thënë se do të publikohet për disa ditë, por u bë një muaj: Pse s`po del në dritë raporti final për stabilitetin e urës?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ka kaluar më shumë se një muaj nga testimi i urës së lumit Ibër dhe ende nuk është publikuar raporti final mbi qëndrueshmërinë e kësaj ure.

Ndonëse zyrtarët e lartë qeveritarë kishin thënë se një gjë e tillë do të bëhej disa ditë pas publikimit të raportit preleminar, tani askush prej kabinetit qeveritar nuk flet për datën se kur mund të publikohet ky raport.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durshmi, ishte ai që kishte paralajmëruar se raporti final do të dal disa ditë pas draftit fillestar.

Edhe kryeministri Albin Kurti kishte thënë se raporti në fjalë do të publikohet shpejt.

Në fakt, Kurti këtë raport e përmend sa herë që flet për çështjen e hapjes së urës.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe pas vizitës në veri.

Por, as kësaj here shefi i ekzekutivit nuk ka treguar se kur do të publikohet raporti në fjalë.

“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme”, kishte thënë Kurti javën e kaluar.

Një javë pas testimit të urës, ishte publikuar draft-raporti, që tregonte se ura është stabile.

Pas publikimit të raportit fillestar, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durshmi, ishte zotuar se raporti final do të dal brenda disa ditëve.

Një deklaratë të tillë ai e kishte dhënë më 14 gusht, ku kishe paralajmëruar se raporti final do të publikohej brenda disa dite.

“Ne po e presim raportin final, i cili do të vije shpejt brenda disa ditëve që ta kemi raportin final, mirëpo nuk presim që do të këtë ndonjë ndryshim, sepse metodat që janë përdorur për testime janë metoda shumë të avancuara, instrumente të cilat janë përdoru për testime janë shumë të avancuara dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim. Ura mbi lumin Ibër është stabile që të qarkullojnë jo vetëm këmbësorët por edhe automjete. Kur ta kemi datën do të ju njoftojmë juve mediave”, kishte thënë Durmishi.

Ndër të tjera, ai kishte treguar se pse ishte bërë testimi i urës.

“Në fakt detyrë e Ministrisë sonë ka qenë që përmes një kontrate që e kemi pasur ta përcaktojmë stabilitetin mbi lumin Ibër dhe ne i kemi zhvilluar të gjitha ato procedura, testime dhe dje e kemi marr raportin preliminar, draft-raportin i cili në bazë të matjeve që janë bërë, në bazë të testimeve që janë bërë konstaton se ura është stabile pa as një kufizim ngarkesash në urë, në bazë të gjitha normave të projektimit sipas normave të Euro-kodit”, ishte shprehur Durmishi.

Ditët e paralajmëruar nga Durmishi tashmë janë bërë muaj dhe ende nuk duhet se kur do të publikohet ky dokument.

Derisa testimi i kësaj ure ishte realizuar më 8 gusht, rezultate raporti preliminar për stabilitetin e urës ishte publikuar më 13 gusht.

Në profilin e tij në Facebook”, zëvendësministri Durmishi kishte treguar se rezultate e raportit preliminar tregojnë se ura është stabile.

“Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale. Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë. Raporti që kemi pranuar sot është preliminar dhe pas të cilit do të presim edhe atë final për të pasur edhe rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik”, kishte shkruar Durmishi.

Lajme të ngjashme