“Ish-regjimi; filma”: VV-ja kritikon prokurorinë për bastisjen në Ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu
Sot Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës bastisën Ministrinë e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Liburn Aliu. Gjatë kësaj bastisje, u arrestua Izedin Bytyqi, zëvendës sekretar në këtë ministri, ndërsa janë sekuestruar një revole, disa telefonë, laptopa e dokumente janë “ngrirë” përkohësisht gjashtë banesa. Megjithatë, pushteti duket se e ka gati kundërshtimin e krejt këtyre hapave të PS-së dhe PK-së.
Disa eksponentë të pushtetit kanë akuzuar prokurorinë dhe “ish-regjimin” për bastisjen, duke ritheksuar “pastërtinë” e ministrit Aliu dhe kabinetit të tij. Në fakt, ish-regjimin e përmendi Valon Hoti, një figurë e lartë VV-së, i cili njëherit është shefi i Kabinetit të Aliut.
Në një status në profilin e tij në Facebook, Hoti shkroi se as ministri Aliu dhe as ndonjë tjetër nga kabineti i tij nuk janë nën hetime për asnjë lëndë. Në shkrimin e tij, këshilltari i Aliut tha se u qëndrojnë prapa deklaratave në lidhje me çështjen e ambalazhuesve, temë e ngritur nga mediat si “aferë e mundshme e korrupsionit”.
“Rreth tentimeve për manipulim të opinionit publik që kinse ky aksion lidhet me ministrin Aliu apo me përfaqësues të tjerë politikë të Lëvizjes që janë angazhuar brenda këtij institucioni, më lejoni të sqaroj që:
1. As ministri Aliu e asnjë anëtar i kabinetit nuk është subjekt hetimi PËR ASNJË LËNDË;
2. Tek rasti i ambalazhuesëve dhe zhurmave që janë bërë në studio televizive, qëndrojmë deri në fund me argumentet dhe faktet që kemi publikuar e të cilat kanë bërë demantim të shumë zërave propagandues gjithandej” – ka shkruar Hoti.
Në fund të shkrimit të tij, Hoti e përmendi ish-regjimin dhe zgjedhjet e reja, duke lënë të nënkuptohet se prokuroria po luan lojë elektorale.
“Siç duket para zgjedhjeve përpjekjet e gjithanshme nga ish-regjimi do të jenë që të na pengojnë, por nuk do t’ia dalin as kësaj here. Pra, inskenime mund dhe është e pritshme të bëjnë deri në ditën e zgjedhjeve, por nuk do t’ia dalin” – përfundoi Hoti.
Në këtë logjike, pra të akuzimit të prokurorisë, ishte edhe një shkrim i Artan Abrashit, deputet i VV-së. Madje, Abrashi e shkroi edhe një rresht tepër problematik, duke shkruar se “kështu që sa më shumë filma të tyre dijeni që jemi në rrugë të drejtë e të mbarë”.
“Disa me i pas toleru në veri, e disa me i pas amnistu në Prishtinë, më besoni që asnjë film prej Prokurorisë nuk e kishit pa. Kështu që sa më shumë filma të tyre dijeni që jemi në rrugë të drejtë e të mbarë” – ka shkruar Abrashi.
Filmat i përmendi edhe deputeti tjetër i VV-së, Mefail Bajqinovci.
“Do të ketë filma deri me 9 shkurt. Pas 9 shkurtit dihet…” – ka shkruar ai.
Çka sekuestroi Prokuroria e Policia?
Në një komunikatë të përbashkët, PS-ja dhe PK-ja treguar se kanë arrestuar Bytyqin, ndërsa Naser Afizi është një tjetër që dyshohet për disa vepra penale. Madje, këto dy institucione kanë treguar edhe se çfarë kanë sekuestruar.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
1. Një (1) revole e tipit MAUSER-ËERKR me dy (2) karikator me nga shtatë (7) fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër (54) fishekë 9 mm.
2. Tridhjetë e katër (34) fletë dokumente të ndryshme.
3. Tre (3) telefona, një (1) IPhone 15 ProMax, një (1) IPhone 12 ProMax, një (1) IPhone 11 ProMax
4. Shtatëmbëdhjetë (17) USB.
5. Tre (3) llaptop HP.
6. Katër (4) shtëpiza kompjuteri si dhe
7. Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë” – shkruhej në komunikatën e PS-së dhe PK-së.