Ish-Kryetari i Mitrovicës së Veriut vazhdon "kërcënimin": Ultimatum Kurtit deri më 1 qershor - NACIONALE

Ish-Kryetari i Mitrovicës së Veriut vazhdon "kërcënimin": Ultimatum Kurtit deri më 1 qershor

10 muaj më parë

nga NACIONALE

1 qershori është “ultimatum” për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, tha sërish Lista Serbe, kësaj here përmes ish-Kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, derisa u ra toneve kërcënuese dhe “paralajmëruese” se “është vetëm çështje kohe kur disa individë mund të marrin drejtësinë në dorën e tyre”. Kështu tha ai në emisionin e mëngjesit të televizionit kryekëput propagandistik serb “Tv Pink”.

Duke folur për betimin e kryetarit të ri të dalë nga zgjedhjet (të bojkotuara nga komuniteti serb) e 23 prillit, Erden Atiq, ish-udhëheqësi i kësaj komune thotë se “ai erdhi me vetura të blinduara dhe kjo tregon nëse ai i përket Mitrovicës së Veriut dhe banorëve”. Duke vazhduar të tregojë se nuk ia njohin autoritetin, ai tha se “jemi të vendosur të mbrojmë mënyrën tonë të jetës dhe institucionet”.

Ne vetëm se po mbrojmë mënyrën tonë të jetës. Ultimatumi jonë për Kurtin që të ndalojë represionin deri më 1 qershor është një lëvizje skajshmërisht e detyruar dhe që detyrohemi ta bëjmë. Askush nuk po pyet se kur Kurti do ta ndalojë represionin, askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk po pyet kur do të tërheq njësitë speciale, t’u bindet ligjeve për kthimin e tokave të Manastirit të Deçanit. E po, këtë e thotë Gjykata Kushtetuese e tyre para shtatë viteve. Ajo Kushtetutë nuk po duket të zbatohet në këtë rast”, ka thënë ai.

Ish-Kryetar i Mitrovicës së Veriut, tha edhe se i kanë “paralajmëruar” përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare për mundësinë e konflikteve dhe incidenteve individuale.

Ne i paralajmruam se situata është e vështirë dhe se do të jetë çështje kohe kur disa individë mund të marrin drejtësinë në duart e tyre për të mbrojtur familjen. Lista Serbe qëndron me popullin e saj dhe të gjitha vendimet do t’i marrim me popullin”, shtoi ai.

“Kërcënimi” i ri i Beogradit

“Ultimatumet” janë gjuhë e zakonshme për qeverinë e Beogradit; çdo herë nxjerrin nga një të re. Edhe rasti i betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, prodhoi diçka të tillë. Duke folur në një tubim relativisht të madh në Pançevë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët në Kosovës “do të durojnë deri më 1 qershor” ndaj asaj që ai pretendon të jetë “ngacmim i serbëve” nga autoritetet e Kosovës.

Të njëjtën gjë gjatë ditës së djeshme e tha edhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq. Serbët, tha ai, do t'u japin "pak kohë" komunitetit ndërkombëtar dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe se më pastaj "përgjigja e tyre do të pasojë".

Fola me përfaqësues evropianë. Ata thonë se ishte gabim. Gjithmonë është gabim, por në dëm të serbëve. Vetëm mos na bëni t’ju kuptojmë juve kur e keni gabim në dëm tonin dhe në dëm të të drejtës ndërkombëtare”, tha Aleksandar Vuçiq, ndërsa shtoi se pavarësisht presioneve që mund t’i vinë “nuk do të dorëzojmë atë çfarë është e jona”.

Lista Serbe pas betimit të Atiq është shprehur se “tash ka nisur zyrtarisht okupimi i veriut” ndërsa kanë folur për datën e 1 qershorit si një datë e fundit “kur duhet të ndalojë ngacmimi i serbëve” dhe se do të mbrohen “me të gjitha mjetet”. “Në emër të Listës Serbe, tham se mjaft është mjaft, dhe se nëse aktivitete të tilla nuk ndalojnë deri më 1 qershor, do të detyrohemi të mbrojmë të drejtën për të qëndruar me të gjitha mjetet”, ka thënë Igor Simiq.

1 qershori nuk është veçse një datë, nuk i bëjmë gjërat me nxitim, ka mjaftueshëm kohë për përfaqësuesit e QUINT’it dhe komunitetit ndërkombëtar për të ndikuar te Prishtina që të ndalojnë këtë bullizim dhe të ndërrojnë mënyrat me komunitetin serb”, ka thënë mes tjerash Simiq. Duke folur për vizionin kroat të një Asociacioni për Komunave me shumicë serbe, Simiq shpërtheu në histeri. “Të gjithë serbët e kuptojnë këtë si thirrje për një Stuhi”, tha ai.

Mesazhet e QUINT’it për kryetarët

Një ditë para betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, pesëshja e QUINT’it do të dilte me një komunikatë që në vetvete përmbante katër mesazhe: Një, se kryetarët e rinj të zgjedhur (me 3.4% të votave) duhet të jenë kryetar thjesht teknik dhe të mos ushtrojnë kompetenca përtej administrative për shkak të zgjedhjeve të asaj natyre që s’ofrojnë zgjidhje afatgjate politike – dy, thirrje ndaj të gjithë aktorëve politikë për të punuar bashkërisht drejt një zgidhje demokratike përfaqësuese për këto katër komuna – tre, që assesi të mos përdoret dhunë nga asnjëra palë; përkatësisht mospërdorimi i forcës për të marrë objektet komunale që mund të mos jenë të qasshme për kryetarët e rinj si dhe anasjelltas nga strukturat paralele serbe që assesi të mos provohet ndonjë veprim i dhunshëm në rastin e marrjes së mandateve nga kryetarët e rinj – katër, të bëhen përparime urgjente për themelimin e Asociaiconit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Lajme të ngjashme