Isa Musafës “qe dorën bravo”, Asociacioni vetëm i 2013 “ujdi e mirë”: Konjufca, shef i negociatave me Serbinë - NACIONALE

Isa Musafës “qe dorën bravo”, Asociacioni vetëm i 2013 “ujdi e mirë”: Konjufca, shef i negociatave me Serbinë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Njeriu që s’e kishte gjykuar librën nga kopertina, që të mbishkruar e kishte me Rezolutën 12/44, është udhëheqësi i ri i negociatave Kosovë – Serbi. Glauk Konjufca, kryediplomat e tash edhe kryenegociator, njoftoi dje ndërmjetësuesin danez, Peter Sorensen, që ai është i autorizuari i qeverisë për bisedimet në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit. Besnik Bislimi, pararendësi i tij, u vendos poshtë-e-më-poshtë në hierarkinë e re qeveritare në një zyre për mbikëqyrje strategjike. Qëndrimet e Konjufcës për çështje të dialogut kanë qenë të ndryshme në kohë të caktuara. Prej Asociacion as “pa kompetenca ekzekutive” dhe frazën virale “as kësi, as asi”; në shpalljen e draft-Statutit të Miroslav Lajçakut si “plotësisht në përputhje me Kushtetutën” e deri te Asociacioni vetëm i 2013-së siç është i paraparë në Marrëveshjen e parë të Brukselit në këmbim të njohjes jozyrtare na Serbia, “neve na u është dukur deal i mirë”. Kthim në kohë...

25 tetor, 2023:

Një muaj i plotë pas sulmit paraushtarak në Banjskë që për mision kishte aneksimin e veriut të Kosovës dhe kur veçse ishte evidentuar që sulmi ishte udhëhequr nga Millan Radojçiq, Glauk Konjufca më 25 tetor, 2023, do të deklarohej për draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, të sjellur nga Mirosllav Lajçaku dhe të përforcuar në mbështetje nga pesë përfaqësues të lartë diplomatikë të QUINT-it. Në atë draft-Statut që datën e mbante të 11 tetorit 2023, qysh në Premabulë/Parathënie, përkatësisht në “kopertinë” ishte Rezoluta 12/44 dhe në përmbajtje kishte edhe Arbitrazh ndërkombëtar që e vendoste atë institucion paralel me rendin kushtetues të Kosovës. Ai draft-Statut synohej të shtihej në rend dite për dërgim në Gjykatë Kushtetuese për rishikim kushtetues, por Konjufca e kishte ndarë mendjen për lexim e vetë. “Plotësisht në përputhje me Kushtetutën”, pati thënë ai, dhe atë “thjesht me një shikim sipërfaqësor.”

  • “Vetëm kështu një shikim sipërfaqësor. Por po, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovës. Por, edhe kjo nuk mendoj se është temë e negociatave me Serbinë.”

Menjëherë pas këtij qëndrimi, që ishte shoqëruar edhe me lëvdatë nga Albin Kurti në Kuvend të Kosovës se draft-Statuti ishte në përputhje “me germën, ndonëse jo me frymën e Kushtetutës”, Konjufca do të ndërronte qëndrimin. Tash, insisonte ai ashpër, Bashkimi Evropian nuk mund të propozojë Statut, por vetë Kosova.

  • “Nuk mundet në vend të Kosovës, me e propozu draftin e Asociacionit, Bashkimi Evropian, kjo i bie që Bashkimi Evropian me ia grabitë një kompetencë shtetëtore Kosovës, një kompetencë për të cilën edhe vet Brukseli (...) në negociatat që i ka organizuar vet, e ka të shkruar në njërën prej marrëveshjeve, sipas marrëveshjeve të deritashme të arritura dhe procesit si ka shkuar, Kosova e ka këtë të drejtë, Kosovës i garantohet e drejta për paraqitjen e draf-statusi për Asociacionin”, pati thënë Konjufca.

Dorën bravo, Isa Mustafës...

Glauk Konjufca, në një intervistë për Radio Televizioni 21, akuzonte emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për “njëanësi”, duke thënë prerë: “Ai nuk është i paanshëm”. Sipas tij, qasja e Lajçakut e trajtonte dialogun “sikur me bisedu dy shtete të cilat nuk e kanë të definuar statusin”, çka ai e konsideronte gabim thelbësor.

Konjufca kundërshtonte idenë se “të gjitha opcionet janë në tavolinë” për Asociacionin. “Kosova nuk është shtet federativ dhe kurrë nuk do të jetë. Është shtet unitar… Nuk ka organe federative dhe nuk ka autonomi territoriale”. Për të, çdo model që krijon struktura me elemente federative “kurrë s’do të jenë të mundura”.

“Kushtetuta është vija e kuqe”.

Ai theksonte se dialogu, qysh nga viti 2011, nuk ka qenë për “ta rimodeluar shtetin”, por për normalizim, me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë. Marrëveshja e Ohrit, sipas tij, synon njohje “de facto”, ndërsa Asociacioni “nis të diskutohet dy javë pasi Serbia ta bëjë njohjen de-facto”.

Konjufca përmendte letrën e Federica Mogherini dërguar Isa Mustafës:

Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë… Se neve sot po na ndihmon”. Ai shtonte se Asociacioni duhet të ketë “karakter koordinues. Jo… ekzekutiv”, duke refuzuar çdo autonomi që do ta federalizonte Kosovën.

“Deal”-i i mirë...

Glauk Konjufca, pranonte se me Marrëveshjen Bazë në Bruksel dhe Aneksin e Ohrit, Kosova ka pranuar themelimin e Asociacionit sipas marrëveshjes së vitit 2013, në këmbim të njohjes “de facto” nga Serbia.

Duke iu referuar Nenit 7, ai shprehej se marrëveshja përfshin “njohja de facto edhe qyky Asociacioni” dhe theksonte se Kosova nuk ka marrë obligime më të mëdha se ato të vitit 2013: “kurgjo ma shumë për mos me dhanë për me arritë t’i me fitu njohjen de facto. Qekjo na është dukë neve deal (marrëveshje) e mirë”.

Konjufca pranonte se Asociacioni “nuk është mirë të bëhet”, por shteti ka dy rrugë:

“Mohim të plotë të obligimeve ndërkombëtare” ose ndryshim të karakterit të obligimit pa dëmtuar shtetin. Sipas tij, u zgjodh “opsioni B”, pasi rruga e parë rrezikon pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Lajme të ngjashme