Irani e ka ekzekutuar britaniko-iranianin Alireza Akbari, raportojnë mediet shtetërore
Burri me shtetësi të dyfishtë, Alireza Akbari, i cili ishte dënuar me vdekje në Iran, është ekzekutuar, raportojnë mediet shtetërore të këtij vendi.
Familjes së tij iu kërkua që të shkonte në burg për një “vizitë të fundit” të mërkurën dhe bashkëshortja e tij tha se ai ishte vendosur në qeli për qëndrim vetëm.
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes i Iranit ishte arrestuar në vitin 2019 dhe ishte dënuar për spiunim për Britaninë e Madhe. Shteti evropian e ka mohuar akuzën ndaj Akbarit.
Mbretëria e Bashkuar i kishte bërë thirrje Iranit që të mos e ekzekutonte këtë të burgosur dhe ta lironte menjëherë atë.
Të premten, sekretari i Jashtëm i Britanisë, James Cleverly, paralajmëroi se “Irani nuk duhet ta vazhdojë rrugën me kërcënimin e tij brutal për ekzekutim”.
“Ky është një akt i motivuar politikisht nga një regjim barbar që ka mospërfillje totale për jetën njerëzore”- shkroi kryediplomati britanik në rrjete sociale.
Faqja zyrtare e lajmeve e sistemit gjyqësor të Iranit, “Mizan”, raportoi se Alireza Akbari është varur, pa dhënë ndonjë datë të saktë të ekzekutimit.
Këtë javë, Irani publikoi një video të Akbarit duke dhënë rrëfim që dukej se ishte bërë me detyrim.
“BBC Persian” publikoi të mërkurën një mesazh me zë të Akbarit, në të cilin ai tha se ishte torturuar dhe ishte detyruar që të rrëfente para kamerës për krime që nuk i ka bërë.
Edhe Shtetet e Bashkuara u ishin bashkuar thirrjeve ndaj Iranit për të mos e ekzekutuar Akbarin. Diplomati amerikan, Vedant Patel tha se “ekzekutimi i tij [Akbarit] do të ishte moralisht i papranueshëm”.
