“Inxhinieria optike” e Kurtit në Davos me eksportet e Kosovës
Narrativi i “dyfishimit” të eksporteve nën Qeverinë Kurti II, kur krahasohet për së mbari me shifra reale, mbetet një nga akrobacitë më brutale statistikore të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“E zvogëluam deficitin tregtar duke i dyfishuar eksportet…” – kjo frazë, tashmë refren i kryeministrit Kurti, u rikthye sërish ngjatë diskutimit të tij të fundit në Forumin Ekonomik Botëror. Por, përtej këtyre pretendimeve të Kurtit, sa qëndron ky pretendim në realitetin ekonomik? Le ta zbërthejmë...
Në terma nominalë, eksportet u ngjiten nga rreth 349.5 milionë euro në vitin 2019, në 712.8 milionë në vitin 2021. Mbi dyfish. Në sipërfaqe, Kurti ka të drejtë në rritje masive të vlerës krahasuar me viteve para pandemisë. Por, pikërisht këtu fle "iluzioni optik" i qeverisë.
Kurti e prezanton këtë kërcim statistikor të vitit 2021 si fryt të drejtpërdrejtë të politikave të tij, ndërkohë që nëse krahasojmë numrat, periudha e qeverisë Kurti II nuk shënon ndonjë kapërcim real strukturor apo industrial krahasuar me qeveritë e kaluara.
Nëse e zhveshim analizën nga propaganda dhe matim performancën reale brenda mandatit aktiv qeverisës (2021–2025), "mrekullia" e proklamuar na avullon sa çel e mshelë sytë. Eksportet lëvizën nga 712.8 në 942.0 milionë euro. Kjo përkthehet në një rritje modeste prej rreth 32.16% – shumë larg narrativës së dyfishimit.
Për më tepër, trajektorja nuk është as eksponenciale dhe as e qëndrueshme: kemi rënie në vitin 2023 dhe tkurrje sërish në vitin 2025.
Analiza e Eksporteve
Krahasim i rritjes: 2016-2019 vs 2022-2025
Konteksti i shmangur qëllimisht
Ana më problematike e këtij diskursi është injorimi i qëllimshëm i kontekstit makroekonomik. Krahasimi i vitit 2021 me 2019-ën është ekonomikisht i pandershëm. Performanca e 2021-ës nuk kishte lidhje me ndonjë politikë të qeverisë Kurti – e cila për më tepër e nisi punën pothuajse në mesin e këtij viti – por vit i asaj që në ekonomi njihet si "efekti bazë" (base effect).
Sipas raporteve të Organizatës Botërore të Tregtisë, shpërthimi i eksporteve dhe lëvizjet tregtare në vitin 2021 u nxitën nga anomali globale makroekonomike. Konkretisht, rihapja pas paralizës totale të vitit 2020 dhe inflacioni global i çmimeve krijuan një rritje artificiale të vlerave nominale, fenomen ky që preku çdo ekonomi, jo vetëm atë të Kosovës.
Për të kuptuar ritmin e vërtetë, duhet të krahasojmë "mollë me mollë": dy periudha normale, atë para-pandemike me këtë pas-shokut. Ironikisht, të dhënat zbulojnë se qeveritë e mëparshme kanë regjistruar një dinamikë më pozitive të eksporteve.
Në periudhën 2016–2019, eksportet u rritën me rreth 60.14% (një shtesë prej 131.24 milionë eurosh). Ndërsa në periudhën e "bumit" të pretenduar nga Kurti (2022–2025), rritja është krejt anemike, vetëm 8.41% (rreth 73.04 milionë euro).