Intervistë | Rritje çmimesh, mungesë investimesh e keqpërdorim i buxhetit – ekonomia sipas Hykmete Bajramit nën Qeverinë Kurti - NACIONALE

Intervistë | Rritje çmimesh, mungesë investimesh e keqpërdorim i buxhetit – ekonomia sipas Hykmete Bajramit nën Qeverinë Kurti

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Nacionale, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se menaxhimi i krizës së inflacionit nga Qeveria e Kosovës ka qenë një dështim monumental. Sipas saj, përtej “spektaklit me Ligjin për Çmimet Tavan”, pushteti zgjodhi të qëndrojë në një apati të frikshme, duke vëzhguar me indiferencë “transferimin e pasurisë nga xhepat e qytetarëve në arkën e shtetit.”

Bajrami çjerri në tërësi narrativën e rritjes ekonomike dhe të buxhetit nga ekzekutivi, duke e cilësuar atë si një mirazh të krijuar nga progresi nominal "në kurriz të inflacionit". Ajo ekspozoi një tjetër dimension të krizës në këtë drejtim – dështimin për ta shpenzuar atë në mënyrë efektive, duke marrë si referencë investimet kapitale, për të cilat tha se janë më të ulëtat në historinë e pas-pavarësisë së Kosovës.

Pretendimet mbi punësimin, Bajrami i shpërpjesëtoi në raport me indikatorët e formalizimit të punësimit dhe migrimin e fuqisë punëtore, fenomen që u pasua nga pozitat vakante dhe mundësi punësimi për të papunët. Në anën tjetër, ajo theksoi se rritja eksponenciale e deficitit tregtar mbetet dëshmitar përgënjeshtrues i pretendimeve të qeverisë për mbështetjen e bizneseve vendore.

Në këtë kontekst, ajo akuzoi kreun e qeverisë se, në vend që të krijojë një klimë të favorshme për investitorët, e ka përkeqësuar atë me deklarata për luftë që ushqejnë pasiguri te investitorët.

Deputetja e LDK-së gjithashtu e bëri përgjegjëse në mënyrë të drejtpërdrejtë Qeverinë aktuale për reduktimet e ashpra me të cilat po përballen qytetarët në furnizimin me energji elektrike.

Në fund, zonja Bajrami e quajti shpërndarjen e buxhetit në fund të mandatit si një "skemë e korrupsionit publik" nga qeveria, në dritën e përpjekjeve për të maskuar dështimin katërvjeçar.

INTERVISTA:

Nacionale: Po e nisim me pretendimet e Qeverisë për rritjen ekonomike. Si qëndron Kosova në këtë drejtim dhe si e krahasoni këtë me rritjen ekonomike gjatë periudhës para pandemisë?

Deputetja Bajrami: Rritja ekonomike nuk është siç e paraqesin eksponentët e Qeverisë, as për së afërmi, sepse ata, sa herë flasin për tregues ekonomikë, nuk e përmendin inflacionin dhe kjo i bën të gjithë treguesit e tyre të pavërtetë. Shifrat për rritjen ekonomike janë në faqen e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, siç është edhe inflacioni/IHÇ (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve). Prej vitit 2021 deri më sot çmimet, mesatarisht, janë rritur 22%, ndërsa shporta bazë e konsumit është rritur me mbi 50%. Të gjitha këto kanë ndikuar që ekonomia, në terma nominalë të duket më e madhe, por realiteti qëndron ndryshe: më shumë janë rritur çmimet sesa është rritur ekonomia.

Duhet të potencohet fakti se kur kjo Qeveri e ka marrë mandatin në mars të vitit 2021, në kohën e bumit postpandemik, rritja ekonomike në atë tremujor ka qenë mbi 16%, dhe këta rritjen e postpandemisë ia atribuojnë qeverisjes së tyre, ndërsa kur flitet për rënien ekonomike të vitit 2020, edhe pse ishin pjesë e qeverisë, atë ia atribuojnë qeverive të tjera.

Rritja ekonomike në këtë mandat, nëse e përjashtojmë bumin postpandemik, është më e ulët se e qeverive paraprake. Për ilustrim, po ju jap të dhënat zyrtare të rritjes ekonomike gjatë Qeverisë së LDK-së dhe Qeverisë Kurti II. Me Qeverinë Mustafa, të dhënat zyrtare tregojnë se Kosova ka pasur këtë rritje ekonomike përgjatë viteve: 5.9% (2015), 5.6% (2016), 4.8% (2017). Ndërsa në vitin 2021 rritja ekonomike, për shkak të bumit postpandemik, ka qenë 10.6%; në vitin 2022 rritja ekonomike ishte 4.2%; dhe në vitin 2023 kemi pasur rritje ekonomike prej 3.3%.

Kjo është gjendja reale, andaj nuk bëhet fjalë për asnjë përparim në ekonomi.

Nacionale: Në vitet e fundit, Kosova është përballur me presione të jashtëzakonshme inflacioniste. Si e vlerësoni menaxhimin e Qeverisë ndaj kësaj krize, e cila ka gërryer fuqinë blerëse të shtresave më të cenueshme?

Deputetja Bajrami: E vërtetë, në katër vitet e fundit siç e potencova edhe me lart inflacioni në mesatare ka arritur në 22%, por shportës bazë e konsumit aty ku familjet shpenzojnë rreth 60% të të ardhurave të tyre u janë rritë çmimet me mbi 50%. Kjo e ka dobësu fuqinë blerëse të qytetarëve duke ndikuar drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre sepse ata sot me të njëjtat paga kanë mundësi të blejnë më pak produkte e shërbime. Qeveria krejt këtë situatë e ka vështruar me pasivitet të plotë derisa ka fërkuar duart duke parë se si pasojë e inflacionit ka ndodhë transfer i lirë i parave nga xhepat e qytetarëve në arkën e shtetit. Lojërat me Ligjin për Çmimeve Tavan e gjëra të tjera kanë qënë thjeshtë për spektakël. Ligji nuk është shpallë antikushtetues, Gjykata Kushtetuese thjeshtë ka thënë që rregullimin e çmimeve duhet ta bëj një organ i pavarur dhe jo Kryeministri e ministri siç e kishin paraparë në Ligj, por Qeveria asnjëherë s’ka qënë e interesuar ta bëj një gjë të tillë, ata ishin të interesuar të fajsonin Gjykatën Kushtetuese dhe opozitën. Qeveria është dashur që të ndryshoj politikat tatimore, të indeksoj pagat dhe pensionet, por se ka bërë asnjëren nga këto.

Nacionale: Cili është vlerësimi juaj për trajtimin e papunësisë nga Qeveria? A ka pasur rritje të punësimit, siç pretendohet?

Deputetja Bajrami: Edhe në këtë pikë, Qeverinë e demantojnë të dhënat zyrtare. Gjatë kohës së pandemisë dhe pas, kemi pasur formalizim të punësimit, gjë që është pozitive, por trendi i krijimit të vendeve të reja të punës nuk dallon fare nga vitet paraprake. E vërtetë që ka rënë papunësia, por kjo më shumë për faktin se në katër vitet e fundit nga Kosova ka ikur me të madhe fuqia punëtore, duke krijuar pozita vakante dhe mundësi punësimi për të papunët.

Nëse shërbehemi me të dhënat e Trust-it, e shohim se punëtorët e rinj që kanë paguar 12 muaj Trust, e që ky është punësimi i qëndrueshëm, i kemi 16 mijë në vitin 2021, 16 mijë në vitin 2022 dhe 12 mijë në vitin 2023 (të dhëna këto nga raporti vjetor i Trust-it për vitin 2023).

Nacionale: Si i shihni tendencat e investimeve të huaja direkte gjatë viteve të fundit, për të cilat Qeveria po krenohet?

Deputetja Bajrami: Gjatë kësaj periudhe, nominalisht janë rritur investimet e huaja direkte për faktin se janë rritur çmimet e patundshmërive. Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, në vitin 2021, 91.3% e investimeve të huaja direkte kanë shkuar në patundshmëri, në vitin 2022, 72.3% kanë shkuar në patundshmëri, ndërsa në vitin 2023 pjesëmarrja e patundshmërive është 60.6%. Këto janë blerje të banesave nga mërgata jonë.

Gjatë këtyre katër viteve, ne s’kemi dëgjuar që një kompani e huaj ka ardhur në Kosovë, e s’ka si të vijë, sepse që nga dita e parë Kryeministri ynë ka thënë në medie ndërkombëtare se jemi në rrezik për luftë. Më vonë, si pasojë e politikave të po kësaj Qeverie vendi u fut nën sanksione të BE-së, sanksione këto që po vazhdojnë edhe sot.

Nacionale: Si e komentoni thellimin e deficitit tregtar të vendit në vitet e fundit, ndërkohë që kryeministri Kurti pretendonte mbështetje për bizneset?

Deputetja Bajrami: Kur Qeveria Kurti II e ka marrë mandatin, Kosova ka pasur deficit prej 2.8 miliardë euro, ndërsa viti 2023 është mbyllur me 5 miliardë euro deficit tregtar dhe të dhënat tregojnë se viti 2024 do të përmbyllet me 5.3 miliardë euro deficit tregtar. Rritja eksponenciale e deficitit tregtar tregon më së miri se kjo qeveri, veç mbështetje për ndërmarrjet vendore nuk ka ofruar. Nuk ka pasur reforma për përmirësimin e ambientit të biznesit, nuk ka pasur reformim të politikave tatimore dhe institucionet që duhet t’i shërbejnë biznesëve, në kohën më të madhe të mandatit, kanë qenë jo funksionale, siç janë OSHP-ja, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni i Ndihmës Shtetërore, Komisioni për Miniera dhe Minerale, etj. Nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi me sektorin privat. Janë dy ligje që janë ndryshuar gjatë këtij mandati dhe ato janë krejt në disfavor të sektorit privat: është dyfishuar tatimi në pronë dhe janë prezantuar për herë të parë normat e dyfushta progresive për tatim në pronë për biznese dhe është ndryshuar Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore, që ka vështirësuar jetën e biznesëve.

Nacionale: Kryeministri Kurti vazhdimisht krenohet me rritjen e buxhetit. A është kjo rritje reale dhe a është menaxhuar buxheti në mënyrë efektive gjatë këtyre katër viteve?

Deputetja Bajrami: Buxheti është rritur falë rritjes së çmimeve dhe tanimë kjo lehtë mund të dëshmohet me të dhëna zyrtare. Tatimet janë përqindje e çmimit ose përqindje e fitimit, dhe rritja e çmimit ka çuar në rritjen e buxhetit. P.sh., nëse e marrim buxhetin e shpenzuar të vitit 2022, ai është 2 miliardë e 624 milionë eruo, si i tillë është 246 milionë euro më i lartë se ai i vitit paraprak. Mirëpo, inflacioni në vitin 2022 ka qenë 10.6%, dhe nëse këtë rritje e indeksojmë me normën e inflacionit, i bie që në fakt s’kemi pasur asnjë rritje reale; përkundrazi, kemi pasur rënie të të hyrave për rreth 10 milionë euro. Ndërsa sa i përket menaxhimit të buxhetit/parasë publike, ajo më së miri shihet me investimet kapitale që janë më të ulëtat në historinë e pas pavarësisë së Kosovës. Investimet kapitale të nivelit qendror në vitin 2023 janë të barabarta me ato të vitit 2017, vetëm se në vitin 2023 buxheti i tërësishëm është për rreth 1 miliardë më i lartë, dhe inflacioni vetëm në katër vitet e fundit është 22%. Kaq sa i përket menaxhimit të buxhetit nga ana e kësaj qeverie.

Nacionale: Aktualisht, qytetarët e Kosovës po përballen me mungesë të energjisë elektrike për orë të tëra. A ka përgjegjësi Qeveria aktuale për këtë situatë?

Deputetja Bajrami: Natyrisht që ka përgjegjësi. Na kujtohet të gjithëve se si Kurti, kur ishte në opozitë, mbante përgjegjës të tjerët kur përballëshim me reduktime të energjisë elektrike. Është e vërtetë se KOSTT dhe ZRRE janë organe të pavarura, por jo në këtë mandat; LVV, meqë kishte shumicën në Kuvend, ka politizuar secilin institucion të pavarur dhe për këtë ekzistojnë faktet.

Tani KESCO, si furnizues publik, ka obligim të furnizojë konsumatorët rregullisht me energji elektrike. Nëse prodhimi vendor nuk mjafton, KESCO obligohet të sigurojë energjinë elektrike nga importi për të mbuluar kërkesën e konsumatorëve. Duke marrë parasysh që në prill të këtij viti ZRRE i ka caktuar KESCO-s të hyrat e lejuara, sa herë KESCO importon energji, i zvogëlohet fitimi, sepse çmimi i importit të MWh është katër deri pesë herë më i lartë se çmimi që KESCO i paguan KEK-ut për MWh. Pra, për ta ruajtur fitimin e vet, KESCO nuk e siguron energjinë elektrike nga importi, ndërsa për të justifikuar këtë, ata dalin dhe thonë se reduktimet janë si rezultat i mbingarkesës në nënstacione dhe linja. Dhe për çudi, justifikime të tilla nuk i kemi dëgjuar vetëm nga KESCO, por edhe nga ministrja Rizvanolli dhe kryeshefi i KOSTT-it, dmth. ata që erdhën në pushtet me premtimin për ta shtetëzuar distribucionin, sot luajnë avokatin e tyre në kurriz të qindra e mijëra familjeve që sot janë pa rrymë.

Konstatimet se ngarkesat vijnë për shkak të zhvillimit ekonomik janë krejt të pasakta. Raporti i konsumit amvisnor/komercial është 62%/38%.

Pyetja është, ku është ZRRE-ja këto ditë? ZRRE e ka obligim, sipas ligjit, të monitorojë procesin dhe nëse konstaton parregullësi, të marrë masa sipas legjislacionit.

Nacionale: Cili është këndvështrimi juaj për mbështetjen e pretenduar të ministrit Peci në sektorin e bujqësisë, në dritën e raportimeve të fundit për ndarjen e granteve për familjarë të zyrtarëve të pushtetit?

Deputetja Bajrami: Tani, nëse flasim për buxhet në terma nominalë të MBZHR ka pasur një rritje nominale të buxhetit; e theksoj nominale sepse krahas rritjes së këtij buxheti, ka pasur rritje të çmimit për të gjitha inputet bujqësore, apo edhe investimet kapitale që kryesisht shkon buxheti i granteve. Ajo që shihet nga të dhënat e ASK-së është se kjo mbështetje nuk ka ndikuar në rritjen e prodhimit vendor dhe zëvendësimin e importit; veç sa e potencuam më lart deficitin tregtar që ka kaluar 5 miliardë euro.

Sa u përket keqpërdorimeve me grante, çfarë të them? Janë zënë në flagrancë, ju kisha bërë thirrje që veç moral mos të na shesin, se është tepër irituese. Uroj që organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre dhe që të gjithë keqperdoruesit e buxhetit ta marrin denimin e merituar.

Nacionale: A ka bërë Qeveria diçka për t’i për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme?

Deputetja Bajrami: Asnjë reformë, asnjë lehtësim. Prej numrit të madh të NVM, janë ndihmuar vetëm një numër i vogël i tyre me disa grante, por është komplet e pamjaftueshme.

Nacionale: Si e vlerësoni vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave dhe ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët në fund të mandatit?

Deputetja Bajrami: Rritja e pagave, pensioneve dhe shpërndarja e buxhetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik, është blerje votash. LDK-ja kurrë s’ka bërë një gjë të tillë. Si ka mundësi që pagat dhe pensionet nuk rritën në kohën kur kemi pasur inflacion 10.6%, por rriten një muaj para zgjedhjeve? Ndërsa shpërndarja e 100 eurove për kategori të ndryshme përpos që është tentim për të blerë paqe sociale më herët e tani vota, është edhe dështim i qeverisë: Qeveria ka mbledhur taksa e tatime për ta përmirësuar jetën e qytetarëve dhe meqë këtë ka dështuar ta bëjë këtë, po u kthen qytetarëve një pjesë të parave të tyre. 100 euro nuk e përmirësojnë jetën e askujt; tatimet janë mbledhur për të pasur arsim më të mirë, shëndetësi më të mirë, rrugë më të mira dhe këto nuk ndodhur.

Lajme të ngjashme